Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vlerësuar si pozitiv Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2025, megjithëse në dokument konstatohet progres i kufizuar dhe stagnim në disa fusha. “Këtë vit edhe pse kemi qenë qeveri në detyrë, raporti konstaton se kemi kryer detyrat me sukses. Integrimi në BE mbetet prioritet strategjik për Kosovën. Raporti sivjet është pozitiv në pothuajse të gjitha fushat dhe ofron rekomandime ku ka ngecje. Nuk ka pasur kthim prapa në asnjë fushë, ka progres në 35 fusha dhe ngecje në 3. Progresi varion nga i kufizuar deri te ai i përparuar. Orientimi ynë është i qartë – anëtarësimi në BE,” tha Kurti gjatë konferencës për media. Ai u ndal edhe te kritikat në opinion për vendimet e qeverisë që mund të kishin dëmtuar marrëdhëniet me shtetet mike, duke theksuar se Raporti e vlerëson këtë si progres në marrëdhëniet me jashtë. “Ajo çka në opinionin publik reflektohej si prishje e raporteve me jashtë, ky raport tregon se ka progres. Në marrëdhëniet me jashtë ka avancim të dukshëm, përparim në zbatim të marrëveshjeve të tregut të përbashkët rajonal 2021-2024. Do të angazhohemi që rekomandimet e raportit të kthehen në zbatim,” shtoi Kurti. Raporti i Progresit për Kosovën përdoret nga Bashkimi Evropian si një pasqyrë e zhvillimeve politike, ekonomike dhe institucionale, dhe shërben si udhërrëfyes për hapat e mëtejshëm në rrugën drejt anëtarësimit.