Cristiano Ronaldo raportohet se kishte “rënë dakord” të largohej nga Manchester United pas Kupës së Botës 2006. 40-vjeçari mbetet një nga futbollistët më të përfolur në botë, duke luajtur aktualisht për skuadrën arabe Al Nassr. Fituesi pesë herë i Topit të Artë nisi karrierën te Sporting Lisbona, ku tregoi potencial të madh si i ri, përpara se të impresiononte Sir Alex Ferguson gjatë një miqësoreje mes United dhe Sportingut në vitin 2003. Në moshën 18-vjeçare, ai iu bashkua United dhe debutoi kundër Bolton Wanderers. Talenti i tij ishte i dukshëm, por ende i papjekur dhe herë pas here impulsiv në vendimmarrjen para portës. Më vonë, Ronaldo fitoi katër tituj të Ligës së Kampionëve me Real Madrid, përveç atij që fitoi me United në vitin 2008. Sipas ish-drejtorit sportiv të Valencias, Amedeo Carboni, karriera e Ronaldos mund të kishte marrë një rrjedhë krejtësisht të ndryshme nëse një transferim i propozuar në vitin 2006 do të ishte realizuar. Cristiano Ronaldo Pas Kupës së Botës 2006, gjatë së cilës Ronaldo i bëri me sy bashkëlojtarit të United, Ëayne Rooney, pas daljes me karton të kuq të këtij të fundit në çerekfinalen mes Anglisë dhe Portugalisë, u përfol se portugezi dëshironte të largohej nga United. Ronaldo kishte deklaruar: “Mendoj se duhet të largohem nga Manchesteri. Rrethanat nuk janë të përshtatshme për të vazhduar të luaj në Manchester. Brenda dy ose tre ditësh do të vendos se ku do të shkoj”. “Gjithmonë kam thënë se dua të luaj në Spanjë. Askush nuk më mbrojti në Manchester, megjithëse nuk i kam bërë keq askujt”, kishte thënë Ronaldo. Përmendja e Spanjës shkaktoi interes nga disa klube të La Liga-s, përfshirë Valencian dhe Carboni pohoi më vonë se “kontratat ishin nënshkruar” për transferimin, por marrëveshja nuk u realizua. “Ne kishim gjetur burimet financiare për ta marrë. Kishim bërë marrëveshje me sponsorët e lojtarit, Nike dhe Coca-Cola, por Ronaldo në atë kohë fitonte tashmë 10 milionë euro neto në vit, shumë e madhe për një klub si Valencia”, ka thënë Carboni./ Telegrafi /