Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka kërkuar nga partitë parlamentare që të bëhen bashkë përtej dallimeve për të formuar institucionet e reja. Ai theksoi nevojën e krijimit të një shumice të fuqishme parlamentare në Kuvend, siç tha, përtej ndarjeve politike dhe etnike që siguron ratifikimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Kosovën, zbatimin e reformave si dhe përmbushjen e obligimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Orav në konferencën për media së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pas dorëzimit të Raportit të Bashkimit Evropian për Kosovën, tha se Unionit Evropian i duhet një qeveri fuqiplotë në Kosovë që të bashkëpunojë me të. “Për t’iu ndihmuar që të arrini progres në rrugëtimin drejt integrimit evropian na duhen partnerë. Duhet të kemi një qeveri dhe të bashkëpunojmë me të. Një qeveri që bazohet në një shumicë të fuqishme në Kuvend që është në gjendje të dërgojë përpara liritë fundamentale në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Në këtë aspekt, fatkeqësisht ky vit që po kalojmë është vit i humbur. Viti 2024 ju ishit pararendës në agjendën e reformës afër pranimit të disbursimit të parë në kuadër të Planit të Rritjes. Ju ishit duke ecur përpara në legjislacionin për SEPA që të jeni pjesë e Zonës së Pagesave Unike Evropiane. Ju ishit duke punuar që të arrini progres në reformën e gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ja ku jemi sot. Çfarë dua të them është se elita politike në Kosovë duhet të bëhet bashkë përtej ndarjeve politike dhe etnike dhe të formojë një shumicë të fuqishme e cila do të sigurojë ratifikimin e Planit të Rritjes dhe të përmbushë obligimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Pa këtë do të ketë mundësi të tjera të humbura. Vullneti për të ndërtuar koalicion dhe kompromis është kyç”, tha ai. Duke paraqitur Raportin për Kosovën, Orav tha se Kosova ka bërë progres në gjashtë fusha, mirëpo theksoi se shumë reforma mbesin të paplota. Ai përmendi edhe sulmet ndaj gazetarëve si dhe gjuhën fyese të politikanëve ndaj mediave. “Duke hyrë në detaje të raportit për Kosovën, ai tregon se kur ka fokus dhe vendosmëri progresi vjen. Kosova ka avancuar në nivelin e përgatitjes në gjashtë fusha. Funksionimi i gjyqësorit, kapaciteti për t’u përballur me presionet konkurruese të fuqive në treg, zhvillimi social, politikat e punësimit, politikat e transportit, siguria e ushqimit dhe marrëdhëniet e jashtme. Zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara sipas kornizës së rishikuar për zgjedhjet ishin një hap tjetër përpara. Progres është arritur në fushën e reformës për drejtësi, projektligje të përgatitura në konsultim me Komisionin e Venecias... Shumë reforma mbesin jo të plota. Duhet të bëhet më shumë punë për të siguruar luftë kredibile kundër korrupsionit, një administratë publike më efikase dhe një ekonomi konkurruese. Këto nuk janë kërkesa vetëm të BE-së, por janë themeli i një shoqërie me prosperitet. Liria e shprehjes duhet të përmirësohet, korniza legjislative po ashtu, ligji për RTK-në, ligji për KPM-në. Ambienti mediatik po përballet me sfida për transparencë. Raporti thekson edhe sulmet ndaj gazetarëve dhe përdorimin e gjuhës fyese përfshirë edhe të politikanët kundër mediave”, shtoi Orav. Sa i përket largimit të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, Orav tha se Komisioni Evropian po synon t’i heqë ato në bazë të transferimit të rregullt të pushtetit në veri pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit. “Komisioni Evropian ka ndërmarrë hapat e parë që të heqë gradualisht këto masa. Hapat e ardhshëm mbesin të kushtëzuar me deeskalimin e qëndrueshëm në veri. Komisioni synon t’i heqë edhe më tej këto masa në bazë të transferimit të rregullt të pushtetit në veri, kur të bëhet kjo. Pas zgjedhjeve lokale deeskalimi duhet të bëhet në mënyrë të qëndrueshme”, theksoi ai. Në anën tjetër, Orav u pyet edhe për plagosjen dhe rrëmbimin e një personi brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe, mirëpo ai tha se po përpiqen t’i mbledhin informacionet dhe se janë në kontakt me autoritetet e Kosovës. “Nuk është se diçka ndodh dhe BE-ja menjëherë del me deklaratë. Ne përpiqemi të mbledhim informacionet se çka ka ndodhur dhe kush është pala përkatëse. Ne jemi në kontakt me autoritetet këtu dhe nëse ka ndonjë problem, atëherë në diplomaci përpiqemi ta zgjidhim problemin. Por të presim pak, pasi është tepër herët,” potencoi ai. Policia e Kosovës pretendon se ai u plagos dhe u rrëmbye nga Xhandarmëria Serbe. Sipas njoftimit, më 1 nëntor 2025, Policia e Kosovës, ka pranuar një informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M. V.), shtetas i Republikës së Kosovës, (i nacionalitetit serb), dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga xhandarmeria serbe.