Napoli ka luajtur baras me rezultat 0-0 në shtëpi ndaj Eintracht Frankfurtit në kuadër të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve. Të besuarit e Antonio Contes patën dy raste shumë të mira në pjesën e parë me Rasmus Hojlund dhe Eljif Elmas, por portieri mysafir ua mohoi golin që të dyve. Rastin e vetëm në këtë ndeshje Frankfurti e pati në minutën e 73-të kur Ansgar Knauff rrezikoi seriozisht portën e klubit Italian, por u ndal nga portieri vendas. Një tjetër mundësi shënimi e pati Hojlund në minutën e 94-të, por portieri i mysafirëve ishte sërish në nivel të detyrës. Në këtë ndeshje nga minuta e parë luajti edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani i cili kompletoi 90 minuta. Rrahmani pati një paraqitje tejet pozitive duke udhëhequr me sukses fazën defensive dhe duke mos lejuar sulmuesit e Frankfurtit të rrezikojnë në shumë raste portën. 31-vjeçari në këtë ndeshje kompletoi 101 pasime me një efikasitet prej 93 për qind, teksa pati edhe pesë spastrime, një ndërhyrje dhe katër duele ajrore të fituara./ Telegrafi /