Demokratët korrin fitore në zgjedhje - amerikanët refuzojnë politikat e ndjekura nga Trump

Votuesit përgjatë Bregut Lindor i dhanë Partisë Demokrate një fitore të plotë të martën, duke zgjedhur kandidatë nga i gjithë spektri ideologjik i partisë, në një shfaqje të gjallë pakënaqësie ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, pothuajse një vit pas fillimit të mandatit të tij të dytë. Në Virginia, ish-kongresistja e moderuar Abigail Spanberger arriti performancën më të fortë demokrate në historinë e afërt të shtetit, duke fituar me lehtësi. Ndërkohë në New Jersey, një tjetër poltikane e moderuar, kongresistja Mikie Sherrill, prishi koalicionin që Trump dhe rivali i saj republikan, ish-ligjvënësi i shtetit Jack Ciattarelli, kishin ndërtuar për të ngushtuar hendekun politik në zgjedhjet e fundit në “Garden State”, raporton cnn. Në qytetin e New Yorkut, fitorja e socialistit demokrat Zohran Mamdani shënoi herën e dytë këtë vit që ai e mposhti ish-guvernatorin Andrew Cuomo - fillimisht në zgjedhjet paraprake demokrate dhe më pas në zgjedhjet e përgjithshme, ku Cuomo garoi si i pavarur i mbështetur nga Trump. Zohran Mamdani mundi miliarderët dhe u bë kryetari i parë mysliman i New Yorkut Fitoret e demokratëve me dallime të theksuara ideologjike nuk do ta zgjidhin shumë debatin e brendshëm afatgjatë të partisë për drejtimin që duhet të ndjekë, me një sërë zgjedhjesh paraprake konkurruese që afrohen dhe me zgjedhjet paraprake presidenciale të vitit 2028 që tashmë po duken në horizont. Megjithatë, fushatat e tyre kishin disa pika të përbashkëta. Edhe pse zgjidhjet e tyre ndryshonin, të gjithë kandidatët u përqendruan te çështja e përballueshmërisë së jetesës. Dhe të gjithë ishin kritikues të ashpër të politikave të Trumpit. “Nuk është vetëm një mesazh për demokratët; është një mesazh për të gjithë vendin tonë. Mendoj se amerikanët janë të tmerruar nga ajo që po shohin të dalë nga kjo administratë”, tha për CNN kongresistja e New Yorkut, Alexandria Ocasio-Cortez, nga festa e fitores së Mamdanit. Në Kaliforni, votuesit miratuan një nismë për rishpërndarjen e zonave elektorale, që synon të rrisë shanset e demokratëve në betejën e vitit të ardhshëm për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Dhe në Pensilvani, gjyqtarët demokratë të Gjykatës së Lartë të shtetit fituan votimet e tyre për riemërim, duke i lejuar demokratët të ruajnë shumicën në gjykatën e lartë të këtij shteti tradicionalisht fushëbetejë, ku sfidat ligjore për rregullat e votimit janë pothuajse të pashmangshme. /Telegrafi/