Tottenham po i jep mbështetje yllit të tyre, lojtari është kërcënuar me armë nga agjenti i tij

Klubi anglez Tottenham Hotspur ka reaguar pas raportimeve se mbrojtësi Destiny Udogie ishte lojtar i Ligës Premier që u kërcënua me armë zjarri nga një agjent futbolli gjatë muajit shtator. Policia Metropolitane e Londrës ka konfirmuar se një person 31-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se ka kërcënuar një futbollist të Ligës Premier në të 20-at, ndërsa gazeta italiane “TuttoMercato” ka raportuar se bëhet fjalë për Udogien. Pas këtyre raportimeve, Tottenham ka lëshuar një deklaratë zyrtare ku thekson mbështetjen e plotë për lojtarin. “Ne kemi ofruar mbështetje për Destinyn dhe familjen e tij që nga incidenti dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Duke qenë se kjo është një çështje ligjore, nuk mund të komentojmë më tej", thuhet në reagimin e klubit londinez. Pavarësisht situatës së rëndë, Udogie është rikthyer në fushë vetëm një javë pas incidentit, duke luajtur në fitoren 3–0 të Tottenhamit ndaj West Ham United. Ngjarja ka shkaktuar reagime të mëdha në Angli dhe Itali, teksa autoritetet janë ende duke e hetuar rastin. Në ndërkohë, Tottenham po e mbështet plotësisht lojtarin e tyre, i cili konsiderohet si një nga mbrojtësit e majtë më të talentuar në futbollin anglez. /Telegrafi/