Si mund ta shkruajë kryetari Mamdani kapitullin e ardhshëm të Nju-Jorkut

Nga kolegjiumi i redaksisë i ditores The New York Times [1] Përkthimi: Telegrafi.com Urime për Zohran Mamdanin, i cili është kryetar i zgjedhur i Nju-Jorkut pas një fushate efektive në mënyrë të mahnitshme. E nisi atë me një emër pak të njohur, e lëre më me mbështetje, dhe tërhoqi vëmendjen e banorëve të Nju-Jorkut me një fushatë pozitive, të udhëhequr nga rrjetet sociale dhe që u fokusua te kostoja e rëndë e jetesës në qytet. Pasi fitoi zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike në qershor, ai iu drejtua kritikëve dhe shfaqi një prirje pragmatike. Nga fillimi e deri në fund, e tejkaloi në konkurrencë establishmentin e lodhshëm politik të Nju-Jorkut, duke mposhtur teknokratët me më shumë përvojë, si dhe kryetarin aktual dhe një ish-guvernator. Të martën, z. Mamdani korri një fitore të lehtë. Ky kolegjium nuk e mbështeti fushatën e tij paraprake, për shkak të shqetësimeve tona lidhur me propozimet e tij politike dhe për mungesën e përvojës së tij. Por, ne i urojmë sukses. Nju-Jorku -qyteti më dinamik në botë, por një vend ku shumë banorë ndihen të privuar nga jeta e mirë për shkak të çmimeve - ka nevojë që ai të ketë sukses. Drejtimi i qytetit është veçanërisht i rëndësishëm tani kur presidenti Trump po përbuz ligjin për të konsoliduar pushtetin dhe po i paraqet në mënyrë të rreme qytetet më të mëdha të vendit si qytete që janë jashtë kontrollit. Ai tashmë ka filluar ta trajtojë z. Mamdani si një pengesë. Që z. Mamdani të jetë efektiv, ai duhet të përballet me historinë e fundit të udhëheqësve civilë të qyteteve të mëdha të cilët kanë premtuar ndryshime të guximshme e progresive. Ata kanë sjellë kryesisht zhgënjim, përfshirë Çikagon, San Franciskon, Siatlin dhe Portlandin në Oregon, si dhe në vetë qytetin e Nju-Jorkut nën drejtimin e Bill de Blasios. Ata kanë toleruar një nivel kaosi të cilin shumë votues e kanë konsideruar të papranueshëm dhe janë përballur me vështirësi për të shënuar përparim në përballimin e jetesës ose në edukimin nga çerdhet deri te shkolla e mesme [shkollat K-12]. Z. de Blasio pati një sukses të madh të cilin z. Mamdani me të drejtë e përmend si frymëzim: arsimi parashkollor universal [pre-K], i cili ka ndihmuar qindra-mijëra fëmijë. Megjithatë, bilanci i përgjithshëm i de Blasios e bëri atë të papëlqyer saqë nuk ka mundur të fitojë nominimin demokrat për distriktin e Bruklinit - pas largimit të tij nga detyra. Z. Mamdani, i cili bëri fushatë me premtime të gjera, mund të ndërtojë një trashëgimi më pozitive duke u përqendruar te arritjet më të mundshme. Ai duhet të marrë shembull nga kryebashkiakët e suksesshëm, qoftë të moderuar apo progresistë, përfshirë Muriel Bowserin e Uashingtonit, Mike Dugganin e Detroitit dhe Michelle Wunë e Bostonit që kanë ofruar zgjidhje konkrete për probleme të veçanta. Z. Mamdani nuk mund ta zgjidhë pabarazinë ekonomike - problemin që ushqeu fushatën e tij. Por, ai mund të shënojë përparime. Mund të ndërtojë më shumë banesa. Mund të zgjerojë mundësinë për kujdesin ndaj fëmijëve dhe për shkolla të mira. Mund të përmirësojë shpejtësinë e autobusëve dhe të metrosë. Nëse ai ka sukses, do të ofrojë një model të qeverisjes së Partisë Demokratike në një kohë kur shumë amerikanë janë skeptikë ndaj partisë dhe janë larguar nga shtetet që qeverisen nga demokratët për tek ato që drejtohen nga republikanët. Gjatë gjithë historisë së ShBA-së, progresistët politikë kanë një rekord për krenari në përdorimin e qeverisë për të zbutur pabarazinë ekstreme dhe për të mundësuar që sa më shumë amerikanë të kenë jetë të mirë. Z. Mamdani ka një mundësi për të shkruar kapitullin e ardhshëm në atë histori. /Telegrafi/ ____________________ [1] Kolegjiumi i redaksisë përbëhet nga gazetarë të specializuar në opinione, pikëpamjet e të cilëve formësohen nga ekspertiza, kërkimi, debati dhe disa vlera të qëndrueshme. Ky kolegjium është i ndarë nga redaksia e lajmeve.