Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka kujtuar sot pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar këtë periudhë si “pesë vite padrejtësie” ndaj atyre që kontribuuan për lirinë e vendit. Në reagimin e saj, OVL-UÇK thekson se heronjtë e luftës mbahen ende larg familjeve dhe atdheut për të cilin luftuan. “Pesë vite padrejtësi, pesë vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan. Ne nuk harrojmë dhe nuk dorëzohemi përballë kësaj padrejtësie historike”, thuhet në reagimin e OVL e UÇK-së. Krerët e UÇK-së, të cilët po përballen me procese gjyqësore në Hagë, u arrestuan në nëntor të vitit 2020 me akuza për krime lufte. Pavarësisht se u bë publike më 5 nëntor të vitit 2020, aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së ishte konfirmuar më 26 tetor të po atij viti. Dy vjet më vonë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ngriti akuza të reja, për të cilat po ashtu Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u deklaruan të pafajshëm. Aktakuza e Prokurorit të Specializuar në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban gjithsejtë dhjetë akuza. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura aty janë kryer në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë, ndërsa OVL-UÇK vazhdon të kërkojë drejtësi dhe lirimin e tyre. /Telegrafi/