Një shtetas i huaj ka pësuar lëndime si pasojë e therjes me një mjet të prehtë, të martën në Gjakovë. Sipas raportimeve thuhet se bëhet fjalë për zyrtarin e Bashkimit Evropian në Kosovë, S.SH. Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se viktima fillimisht ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF Gjakovë e më pas është dërguar në QKUK. Telegrafi ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Gjakovë për të marrë më shumë informata rreth këtij rasti, por të njëjtit kanë bërë të ditur se rasti është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës. “Lidhur me rasti në fjalë, ju lutem që ti drejtoheni Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pasi që rasti menjëherë ka kaluar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, si kompetencë lëndore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Gjakovës. Ndërkaq drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla ka thënë për Telegrafin se i njëjti është sjellë mbrëmë në Qendrën Emergjente dhe se gjendja e tij është stabile. “Rasti ka qenë mbrëmë, është trajtuar në Qendrën Emergjente, gjenda është stabile. Më pas është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë Syla. Telegrafi ka dërguar pyetje gjithashtu edhe në zyrën e BE-së në Prishtinë, në Prokurorinë Speciale por deri në publikimin e këtij lajmi nuk kemi pranuar përgjigje. /Telegrafi/