Në mbledhjen e tij të parë themeluese, Këshilli i ri Drejtues i Universitetit të Prishtinës (KD) është kompletuar edhe me të deleguarit nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI). Kështu bëhet e ditur në njoftimin e Universitetit të Prishtinës. Në këtë mbledhje, kryesues i KD-së u rizgjodh Altin Sahiti, ndërsa zëvendëskryesuese u zgjodh Arbëresha Nela-Turjaka. MAShTI zëvendësoi dy anëtarë të përbërjes së kaluar të KD-së, duke emëruar Myesere Hoxhën dhe Berenika Gashin, ndërsa ua vazhdoi mandatin Altin Sahitit dhe Arbëresha Nela-Turjakës. Anëtarët e Këshillit Drejtues nga personeli akademik i UP-së në përbërje janë: prof. Mimoza Ibrani, prof. Teuta Jashari-Kajtazi, prof. Arian Krasniqi, prof. Vjosa Fejza-Ademi dhe prof. Kurtesh Sherifi, të cilët janë zgjedhur në fund të qershorit 2025. "Këshilli Drejtues i UP-së me kryesues Altin Sahitin, zëvendëskryesuese Arbëresha Nela-Turjakën dhe anëtarët Myesere Hoxhën, Berenika Gashin, Mimoza Ibranin, Teuta Jashari-Kajtazin, Arian Krasniqin, Vjosa Fejza-Ademin dhe Kurtesh Sherifin, ka gjashtë gra në përbërje. Kjo trupë shumë e rëndësishme e UP-së u zotua se do të veprojë si ekip dhe me frymë e energji të re, për të mirën e Universitetit të Prishtinës dhe shoqërisë kosovare", thuhet në njoftimin e UP-së. /Telegrafi/