Raporti i KE-së: Agjencia për Informim dhe Privatësi ka përmirësuar performancën, megjithatë kapacitetet e saj duhet të forcohen

Një ditë parë është publikuar raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2025, ndërsa thuhet se Kosova ka pasur progres të kufizuar e stagnim. Raporti thekson se Kosova ka pasur përparim të kufizuar në fusha të tilla si pavarësia e gjyqësorit, liria e medias, dhe efikasiteti i administratës publike. E një pjesë e raportit i është kushtuar edhe mbrojtjes së të dhënave personale dhe Agjencisë për Informim dhe Privatësi. “Korniza ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale është kryesisht e harmonizuar me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) dhe është themeluar një grup punues për të avancuar harmonizimin me Direktivën e Bashkimit Evropian për Zbatimin e Ligjit. Agjencia për Informim dhe Privatësi ka përmirësuar performancën e saj, përfshirë lansimin e një platforme digjitale që shërben si mekanizëm mbikëqyrës, dhe ka vazhduar të trajtojë ankesat në mënyrë të pavarur dhe efikase. Megjithatë, kapacitetet e saj ende kanë nevojë të forcohen”, thuhet në raport. Tutje në raport thuhet se Agjencia arriti anëtarësim të plotë në dy organe të rëndësishme evropiane të informacionit dhe mbrojtjes së të dhënave dhe vazhdoi të përfaqësohet në forumet përkatëse ndërkombëtare. Burimet financiare dhe njerëzore të Agjencisë duhet të forcohen, për të siguruar funksionimin e saj efektiv. /Telegrafi/