Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar pas sulmit me mjet të mprehtë ndaj një zyrtari të saj në Gjakovë. Në një përgjigje për Telegrafin, zyra e BE-së shprehu tronditjen dhe shqetësimin për rastin. “Ne jemi të tronditur nga kjo ngjarje dhe i urojmë stafit të përfshirë një rikuperim të shpejtë dhe të plotë. Ka një hetim në vazhdim dhe autoritetet po përcaktojnë faktet. Duke qenë se hetimi është aktiv, nuk mund të japim më shumë detaje në këtë moment”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së në Prishtinë. Raportohet se zyrtari i BE-së u ther në Gjakovë, nga QKUK thonë se gjendja e tij është stabile Ngjarja ndodhi të martën në Gjakovë, ku viktima fillimisht ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjakovë, dhe më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, ka konfirmuar se gjendja e viktimës është stabile dhe se ai po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare për ndihmë të mëtejshme mjekësore. Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, të cilët nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Telegrafit. Motivet e këtij sulmi mbeten ende të paqarta. /Telegrafi/