Një incident i rëndë ka ndodhur të martën në Gjakovë, ku një zyrtar i Bashkimit Evropian është therur me një mjet të mprehtë. Policia përmes raportit 24 orësh njoftoi se viktima kishte pësuar dy plagë dhe ka marrë ndihmë të menjëhershme mjekësore në QKMF Gjakovë dhe më pas është transferuar në QKUK, ku gjendja e tij raportohet stabile. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në një përgjigje për Telegrafin ka konfirmuar rastin duke shprehur tronditjen dhe shqetësimin për ngjarjen, dhe i ka uruar rikuperim të shpejtë dhe të plotë zyrtarit të saj. Zyra e BE-së konfirmon se zyrtari i saj u ther në Gjakovë, shpreh shqetësim Telegrafi nga burimet ka mësuar se zyrtari i BE-së ka kërkuar ndihmë mjekësore në emergjencën e Gjakovës rreth orës 20:00. Dyshohet se është sulmuar nga një person i panjohur që në atë kohë ishte së bashku në veturë me viktimën dhe se nuk dihet se si janë gjendur në të njëjtën veturë Të njëjtat burime bëjnë me dije se vendi i incidentit nuk dihet por dyshohet se ka ndodhur nga Klina në drejtim të Gjakovës. Rasti është duke u hetuar si vrasje e rëndë në tentativë kurse motivet e këtij sulmi mbeten ende të paqarta. /Telegrafi/