Klubi gjilanas, Drita ka njoftuar zyrtarisht se ndeshja e tyre ndaj Prishtinës është shtyrë për një afat të pacaktuar. Ndeshja kryesore e xhiros së 13-të në Albi Mall Superligën e Kosovës është padyshim ajo në mes të dy rivalëve të viteve të fundit, Dritës dhe Prishtinës. Kjo ndeshja ishte planifikuar të zhvillohej ditën e hënë, më 11 nëntor, por tani është shtyrë në një afat të pacaktuar. Është vet klubi gjilanas që ka njoftuar zyrtarisht shtyrjen e ndeshjes shkaku i ftesave të kombëtareve për dy futbollistët e saj, Faton Malokut dhe Ibrahim Salifu. Njoftimi i plotë i Dritës Ju njoftojmë se ndeshja e planifikuar për të hënën ndaj FC Prishtina shtyhet për një afat të pacaktuar. Arsyeja e shtyrjes është thirrja e dy futbollistëve tanë në përfaqësueset e tyre kombëtare: Faton Maloku është ftuar nga Kombëtarja e Kosovës, ndërsa Ibrahim Salifu është ftuar nga Kombëtarja e Beninit. Klubi Drita u uron suksese të dy lojtarëve tanë në përfaqësimin e vendeve të tyre dhe do të njoftojë me kohë për datën e re të zhvillimit të ndeshjes. / Telegrafi /