Refuzohet e pabazuar ankesa e kandidatit për asamblist Blerim Krasniqi

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruar nga Blerim Krasniqi, kandidat për Asamble Komunale në Komunën e Drenasit nga Nisma Socialdemokrate, paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të datës 29.10.2025. Pasi PZAP kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e Blerim Krasniqit, ky i fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatë Supreme, me pretendimin për parregullsi gjatë numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN), për Zgjedhjet Lokale të datës 12 tetor 2025. "Gjykata Supreme e Kosovës, pas vlerësimit të vendimit të atakuar pretendimeve ankimore dhe atyre në përgjigje në ankesë, si dhe shqyrtimit shkresave tjera të lëndës, gjeti se ankesa është e pabazuar", thuhet në njoftim. /Telegrafi/