Seanca e Supremes për padinë e OEK-ut ndaj ZRrE-së lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë zhvillohet me ndërprerje të rrymës

Në Gjykatën Supreme të mërkurën është mbajtur seanca lidhur me padinë që Oda Ekonimike e Kosovës (OEK) ka paraqitur kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike. Kjo seancë është zhvilluar me ndërprerje të energjisë elektrike herë pas here, raporton “Betimi për Drejtësi“. Përfaqësuesi i paditëses OEK, avokati Ekrem Hoxha tha se komuniteti i bizneseve ka qenë i papërgatitur për një ndryshim kaq të madh dhe se procesi është zhvilluar në kundërshtim me ligjin. Sipas avokatit Hoxha, konkurrenca reale në treg nuk ekziston, me arsyetimin se operatorët tjerë nuk garantojnë furnizim me energji elektrike. “Vetë Ligji për energji elektrike në hyrje të tij potencon se është në përputhje të pjesshme me direktivat e BE-së dhe thirrja e paditurës se liberalizimi është detyrim nga këto direktiva është vetëm një referim i zbehtë për të arsyetuar një vendimmarrje të marrë nga ZRrE,” shtoi ai. Ndërkaq përfaqësuesi i ZRrE-së, Ymeridin Misini e kundërshtoi në tërësi padinë duke e cilësuar si të pabazuar në ligj. Tha se ZRrE-ja ka vepruar bazuar në parimet e transparencës dhe Kushtetutës. Sipas Misinit, tashmë Gjykata Supreme e ka konstatuar si të palejuar kërkesën për masë të përkohshme me arsyetimin se nuk cenohet ndonjë pasojë e pariparueshme pas vendimit të Zyrës. Misini ka shtuar se liberalizimi është obligim ndërkombëtar. Në fund të seancës u bë e ditur se brenda afatit ligjor palët do ta pranojnë vendimin e Gjykatës. Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) më 19 gusht 2025 kishte dorëzuar padi ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), në Gjykatën Supreme për çështjen se daljes së bizneseve në treg të lirë të energjisë. Ndryshe, vendimi për liberalizimin e tregut ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2025, me të cilin të gjitha kompanitë me më shumë se 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë të obliguara të kalojnë në tregun e hapur. Kurse, më pas nisi shkyçja e bizneseve që nuk kanë nënshkruar kontrata për furnizim me energji. /BetimipërDrejtësi/