Banka Qendrore të Kosovës ka mirëpritur vlerësimet pozitive të KE-së, i cili sipas BQK-së konfirmon se sektori financiar ka ruajtur qëndrueshmëri të lartë, kapitalizim të mjaftueshëm dhe avancim të dukshëm në harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian. BQK thotë se raporti ka vlerësuar se bankat në Kosovë operojnë me nivele të larta kapitali dhe likuiditeti, ndërsa kreditë joperformuese mbeten në nivel minimal historik. “Vlerësohet gjithashtu miratimi i rregullores për shtesat makroprudenciale të kapitalit dhe planit për zbatimin e SREP, në përputhje me udhëzimet e EBA-s. Në fushën e pagesave, Raporti nënvizon miratimin e Ligjit për Shërbimet e Pagesave, anëtarësimin e BQK-së në EACHA dhe rritjen e ndjeshme të pagesave elektronike, si dhe zgjerimin e shërbimeve financiare në komunat veriore. Komisioni vlerëson masat e ndërmarra kundër falsifikimit të euros, progresin në digjitalizim dhe financa të qëndrueshme, forcimin e qasjes në financim për NVM-të përmes FKGK, si dhe përparimet në kornizën AML/CFT dhe ligjin për Kripto-Asetet, duke kaluar në mbikëqyrje të bazuar në rrezik. Raporti njeh gjithashtu forcimin e qeverisjes së brendshme të BQK-së, përfshirë riorganizimin institucional, politikat e avancuara të burimeve njerëzore dhe krijimin e divizionit të sigurisë kibernetike”, thuhet në reagimin e BQK-së. Krahas vlerësimeve pozitive, KE rekomandon avancimin e mbledhjes së të dhënave financiare, zhvillimin e kornizës për rimëkëmbjen bankare dhe përmirësimin e infrastrukturës së tregut financiar. BQK riafirmon përkushtimin për të vazhduar reformat dhe përafrimin e plotë me acquis të BE-së, duke falënderuar Komisionin Evropian për vlerësimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/