Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka reaguar ndaj spekulimeve për një largim të mundshëm të Hansi Flick në fund të sezonit, duke i cilësuar ato si të pabazuara. Ai theksoi se trajneri gjerman është i kënaqur me progresin që skuadra po tregon dhe me mënyrën se si po rikthehet gradualisht në formën e saj më të mirë. “E di që Hansi Flick është shumë i lumtur dhe i emocionuar për rikthimin tonë në stadium”, tha Laporta për mediat spanjolle. “E kemi diskutuar me trajnerin. Ekipi po përmirësohet, është në një trajektore rritëse. Të dielën, të tre sulmuesit, Lamine, Ferran dhe Rashford shënuan, dhe jemi shumë të kënaqur me progresin". Laporta pranoi se disa mungesa kanë ndikuar në vazhdimësinë e rezultateve, por nënvizoi se ato nuk mund të shërbejnë si justifikim. “Kemi disa mungesa, të cilat nuk janë justifikim, por janë realitet. Këto mungesa na prishën planet, megjithëse tani lojtarët e lënduar po shërohen dhe po përparojmë pak nga pak”, shtoi ai. Presidenti katalanas përfundoi duke theksuar se besimi i klubit ndaj Flick mbetet i plotë, ndërsa objektivi i përbashkët është rikthimi i Barcelonës në majat e futbollit evropian. /Telegrafi/