Dodik: Bosnja është çështje e mbyllur, nuk ekziston më si shtet

Ish-presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, përsëri sot përdori retorikën nacionaliste dhe kërcënoi për shkëputjen e RS-së nga Bosnja dhe Hercegovina, dhe arsyeja për këtë ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese të BeH për të refuzuar ankesën ndaj dënimit me një vit burg, për shkak të të cilit ai humbi mandatin. “Është e qartë se Gjykata Kushtetuese e BeH është pjesë e një klani që ka për qëllim shfuqizimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit”, tha ai në një konferencë për shtyp që e mbajti në selinë qendrore të Aleancës së tij të Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) në Banja Llukë. Dodik vazhdon të jetë kryetar i asaj partie, megjithëse ekzistojnë interpretime sipas të cilave ai nuk mund ta ushtrojë as këtë detyrë, pasi Gjykata e BeH, përveç dënimit me burg, i shqiptoi edhe ndalesën gjashtëvjeçare për veprimtari politike, raporton index.hr. Ai tha se po fliste nga ambientet e SNSD-së “vetëm për arsye formale dhe ligjore”, dhe para gazetarëve e përdori rastin për të dërguar mesazhin se Bosnja dhe Hercegovina do të shpërbëhet, ndërsa RS do të bëhet shtet i pavarur. “Gjithçka që kemi thënë se janë qëllimet tona politike do të mbeten orientimi ynë edhe në të ardhmen”, tha Dodik. Ai shtoi se për të, BeH është “një histori e mbyllur” dhe paralajmëroi se në nivel shtetëror do të ndodhë një paralizë e përgjithshme. Parlamenti i RS-së në muajin shkurt miratoi një sërë ligjesh me të cilat de facto u përpoq të kryente shkëputjen, por këto ligje u anulua nën presionin e administratës amerikane, e cila në këmbim i hoqi Dodikut sanksionet. Përfaqësuesja amerikane në Këshillin e Sigurimit të OKB-së javën e kaluar shpjegoi se administrata e Donald Trumpit tani pret “deeskalim dhe stabilitet” në BeH, por Dodik sot bëri të ditur se nuk po heq dorë nga retorika që e çoi në sanksione. Ai tha se “myslimanët dhe globalistët e bashkuar” po shkatërrojnë rendin e Dejtonit, prandaj BeH në fakt ka dështuar. “RS dhe unë si president mendojmë se nuk ekziston më një BeH kushtetuese. Ekziston një BeH në rënie të lirë, dhe dua të them: le të shkojë në djall”, tha Dodik. Ai akuzoi Bashkimin Evropian se po nxit anarki dhe se dëshiron t’i heqë të gjitha të drejtat RS-së, ndërsa si fajtor kryesor e cilësoi komisioneren evropiane Marta Kos. “Që të na fusin në BE pa status dhe pa të drejtë vote – unë jam kundër. RS do të jetë kundër,” përfundoi ai. /Telegrafi/