Zyrtari i BE-së i cili u ther mbrëmë në Gjakovë po vazhdon trajtimin mjekësor në Klinikën e Kirurgjisë Torakale. Drejtori i kësaj klinike, Nazmi Kolegci në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se pavarësisht plagëve të marra, gjendja e tij është stabile. “Lëndimet janë politraumë ka lëndime në kokë, qafë dhe gjoks. Lëndime më të shpeshta që janë lëndimet në kokë, ka edhe një lëndim plagë prerëse-shpuese afër veshit të majtë, gjithashtu i ka edhe dy plagë tjera të vogla në pjesën e përparme të gjoksit dhe ka një frakturë të brinjës së tretë djathtas dhe ka një pneumotoraks, domethënë ka ajër në mushkëri që është sasia e vogël, që është duke u observuar”, ka thënë Kolgeci. Dyshohet që zyrtari i BE-së që u ther në Gjakovë ishte në të njëjtën veturë me sulmuesin Ai ka shtuar se deri më tani zyrtari i BE-së nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjike, dhe se gjendja e tij po monitorohet. “Pra deri tani nuk kemi pasë nevojë me bë një ndërhyrje kirurgjikale, po pavarësisht gjendja është stabile këtë e observojmë dhe e presim në rast se sasia e ajit që është e futur në mushkëri rritet dhe atëherë është e nevojshme trajnimi kirurgjik. Mirëpo deri tani gjendja është stabile”, tha drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale. Kolgeci shtoi tutje se me tu pranuar mbrëmë në emergjencë, të njëjtit i janë kryer të gjitha analizat laboratorike dhe imazherike dhe normalisht që kemi konsultuar edhe kirurgun vaskular, ortopedin dhe ORL, janë fushat domethënë ku pacienti ka pësuar lëndime dhe ka pranuar ndihmë. Ndryshe, zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në një përgjigje për Telegrafin ka konfirmuar rastin duke shprehur tronditjen dhe shqetësimin për ngjarjen, dhe i ka uruar rikuperim të shpejtë dhe të plotë zyrtarit të saj. Telegrafi nga burimet ka mësuar se zyrtari i BE-së ka kërkuar ndihmë mjekësore në emergjencën e Gjakovës rreth orës 20:00. Prokuroria Speciale njofton se ka filluar hetimet për sulmin ndaj zyrtarit të BE-së në Gjakovë Viktima dyshohet se është sulmuar nga një person i panjohur që në atë kohë ishte së bashku në veturë dhe se ende nuk dihen rrethanat sesi janë gjendur në të njëjtën veturë. Të njëjtat burime bëjnë me dije se vendi i incidentit nuk dihet por dyshohet se ka ndodhur nga Klina në drejtim të Gjakovës. /Telegrafi/