Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.N., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, Hakile Ilazi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 3 nëntor 2025, rreth orës 09:00 në Ferizaj, përkatësisht në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, i pandehuri me dashje, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, ka kanosur seriozisht me fjalë se do t`i shkaktoj ndonjë të keqe personit zyrtar - të dëmtuarit I.B., në lidhje me pozitën e tij zyrtare si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Në atë mënyrë që pasi që kishte refuzuar pranimin e aktgjykimit, me anë të së cilës është shpallur fajtor dhe gjykuar, kërkon takim me gjyqtarin në zyre dhe pasi që nuk pranohet, në prani të stafit mbështetës të gjykatës: K.L., A.Sh., Sh.R., Sh.H., dhe praktikantëve R.S., dhe E.K., me sjellje të vrazhdë, në shenjë revolte dhe me tonë të lartë kanos me fjalë se: “Veç mos e zafsha në udhë qat I.”, dhe fjalë tjera ofenduese, me ç`rast si pasojë e këtyre fjalëve dhe veprimeve tek i dëmtuari ka shkaktuar shqetësim dhe pasiguri. Gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve i`u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./Telegrafi/