Zyrtare: Milani dhe Interi përfundojnë blerjen e zonës së San Siros

Milani dhe Interi kanë zyrtarizuar nënshkrimin e aktit të shitblerjes me Bashkinë e Milanos për “San Siro Great Urban Function”, që përfshin stadiumin “Giuseppe Meazza” dhe zonën përreth tij. Kjo marrëveshje, e miratuar nga Këshilli Bashkiak i Milanos në muajin shtator, u finalizua sot me nënshkrimin e të gjitha dokumenteve të nevojshme. Tashmë, klubet milaneze janë pronarë të plotë të kompleksit sportiv dhe urbanistik të San Siros. Në deklaratën e përbashkët, klubet theksojnë se projekti i ri për ndërtimin e stadiumit dhe zhvillimin urban të zonës përfaqëson një kapitull të ri për qytetin e Milanos dhe për të dy klubet. “Ky është një moment strategjik që pasqyron ambicien e përbashkët të AC Milan dhe Interit, si dhe të pronarëve të tyre, RedBird dhe fondeve të menaxhuara nga Oaktree, për sukses afatgjatë dhe rritje të qëndrueshme ekonomike”, thanë Inter dhe Milan në një deklaratë të përbashkët. Projektin e ri arkitektonik do ta realizojnë Foster + Partners dhe MANICA, dy studio të njohura ndërkombëtare të dizajnit sportiv. Stadiumi i ri pritet të jetë një arenë moderne me standardet më të larta ndërkombëtare dhe të kthehet në një ikonë të re arkitekturore për qytetin e Milanos. Përveç stadiumit, projekti përfshin edhe ngritjen e një qendre ekselence sportive dhe kulturore, që do të rigjallërojë zonën e San Siros përmes inovacionit, qëndrueshmërisë dhe aksesueshmërisë. Afatet e projektit Punimet për ndërtimin e stadiumit të ri do të nisin në gjysmën e parë të vitit 2027 dhe pritet të përfundojnë në vitin 2031. Stadiumi aktual “Giuseppe Meazza” do të vazhdojë të përdoret deri atëherë, përpara se të shkatërrohet mes viteve 2031 dhe 2032. Kjo do t’u mundësojë Milanit dhe Interit që të presin sezonin 2031–32 në shtëpinë e tyre të re dhe, njëkohësisht, ta bëjë qytetin e Milanos një nga vendet pritëse të Kampionatit Evropian “Euro 2032”. /Telegrafi/