Aksion simbolik para bazës së EULEX-it, OVL-UÇK kërkon drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), ka mbajtur sot një aksion simbolik pranë bazës së EULEX-it në Prishtinë, në shenjë kujtese dhe proteste për pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Sipas njoftimit të OVL-UÇK-së, aksioni u zhvillua pikërisht në vendin ku para pesë vitesh ish-udhëheqësit e UÇK-së u vetëdorëzuan për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare. “Ky aksion u zhvillua në shenjë kujtese dhe proteste ndaj padrejtësisë që po u bëhet çlirimtarëve tanë, të cilët prej pesë vitesh vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Hagë, pa drejtësi dhe pa vendim përfundimtar,” thuhet në njoftimin e organizatës. OVL-UÇK ka theksuar se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së po zvarritet padrejtësisht dhe ka rikujtuar se ata janë vetëdorëzuar me dinjitet, për të dëshmuar pafajësinë e tyre. /Telegrafi/