Shkëndija kërkon pikë të arta ndaj kampionëve të Polonisë

Shkëndijae Tetovës është gati për një tjetër sfidë evropiane. Nesër në Arenën “Todor Proeski” në Shkup, kampionët e Maqedonisë presin Jagiellonian e Polonisë, një përballje që mund të përcaktojë shumë në rrugëtimin e tyre në Ligën e Konferencës, njofton Telegrafi. Trajneri Jeton Beqiri i ka të gjithë lojtarët në dispozicion, përveç Vane Krstevskit, i cili për shkak të një lëndimi e ka mbyllur sezonin. Në konferencën për shtyp, Beqiri u shpreh me respekt për kundërshtarin, duke e konsideruar skuadrën polake favorite, por theksoi se Shkëndija do të futet në fushë për fitore. “E kemi analizuar mirë Jagiellonian, është një ekip shumë i organizuar që vjen nga një kampionat i fortë. Ata janë dominues në Poloni, por ne në Shkup kemi treguar gjithmonë fytyrën tonë më të mirë. Nuk kemi problem t’ua lëmë atyre rolin e favoritit në letër, por në fushë do të kërkojmë maksimumin. Kemi përpara një ndeshje të ndryshme nga ajo me Shelburnin, më e fortë, më taktike dhe me më shumë ritëm. Në duele të tilla vendosin detajet, prandaj përqendrimi dhe shfrytëzimi i rasteve do të jenë vendimtare” , tha Beqiri. Krah tij foli edhe mesfushori Arbin Zjenullai, i cili shprehu besim se Shkëndija do të japë gjithçka për të marrë një tjetër fitore evropiane. Arbin Zejnullai “Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. E dimë që përballë kemi një kundërshtar të fortë nga një ligë me ritëm të lartë, por edhe ne do të luftojmë për çdo top. Futbolli sot është më shumë fizik, kush vrapon më shumë dhe fiton duelet, ai fiton ndeshjen. Ne do të bëjmë pikërisht këtë, të luftojmë deri në fund për tifozët tanë”, u shpreh Zjenullai. Ndeshja Shkëndija – Jagiellonia luhet nesër në orën 21:00, me skuadrën polake që ka katër pikë dhe kampionët e Maqedonisë tre, pas fitores ndaj Shelburnit në Shkup. /Telegrafi/