Një ndryshim i madh po vjen për veturat e vogla në Evropë

Komisioni Evropian do të publikojë në muajin dhjetor një kategori të re rregullatore për automjete të vogla elektrike të përballueshme, me qëllim që të mundësohet prodhim dhe shitje më e lirë e automjeteve elektrike me çmim midis 15 mijë dhe 20 mijë eurosh. Komisioneri Evropian për Industrinë, Stephane Sejourne, e konfirmoi këtë gjatë Ditëve të Industrisë Automobilistike në Paris të martën. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, ka të ngjarë që në dhjetor të njoftojë ndarjen e automjeteve të lehta komerciale nga automjetet personale për arritjen e objektivave të emisioneve të CO2 për vitet 2030 dhe 2035. Përveç kësaj, Komisioni po punon për të përcaktuar se çfarë konsiderohet automobil evropian me ndikim afatgjatë mbi prodhuesit dhe furnizuesit në industrinë automobilistike. Është e rëndësishme të merren masa më të ofensiva, sepse nëse nuk bëhet asgjë, sipas Stéphane Séjourné, prodhimi i veturave do të vazhdojë të bjerë, dhe veçanërisht pjesa e furnizuesve evropianë do të ulet shumë shpejt, nga 70 për qind në 50 për qind. Gjithashtu, u konfirmua krijimi i një kuadri rregullator për automjetet e vogla. Stephane Sejourné mbeti mjaft i paqartë për këtë temë, por duket se mund të lejohet që automjetet e vogla të lirohen nga një pjesë e pajisjeve të sigurisë për t’i bërë më të lira, që do të rrisë prodhimin e automjeteve në Evropë dhe do të mundësojë konkurrencën me automjetet kineze, raporton Journalauto.com. Në tregun evropian po vijnë një sërë automjetesh të vogla elektrike, si Renault Twingo ose automjeti i ri i vogël elektrik i Volkswagen-it, dhe mbetet të shihet se çfarë ndikimi mund të ketë një vendim i tillë mbi çmimin e këtyre veturave. Gjithashtu, në dhjetor priten vendime lidhur me teknologjitë që automjetet do të përdorin në treg pas vitit 2035. Do të lejohet shitja e makinave të reja me motor me djegie të brendshme që përdorin karburante sintetike, dhe nëse hibridët plug-in do të mbeten të disponueshëm në treg. /Telegrafi/