Fabrika e Ferronikelit nis procesin e ristrukturimit, paralajmëron largime kolektive të punonjësve

NewCo Ferronikeli Complex L.L.C. ka njoftuar për ndryshime të rëndësishme organizative, duke paralajmëruar një plan ristrukturimi të fuqisë punëtore si pjesë e përpjekjeve për të siguruar stabilitet financiar dhe operativ në afat të gjatë. Në njoftimin e kompanisë thuhet se vendimi vjen pas një periudhe mbi dyvjeçare të vështirë, që nga ndalimi i plotë i prodhimit në tetor të vitit 2023. Gjatë kësaj kohe, kompania thotë se ka mbuluar vetë të gjitha kostot operative, përfshirë pagat dhe mirëmbajtjen e kompleksit. “Gjatë 24 muajve të fundit, NewCo Ferronikeli ka ndjekur nga afër luhatjet në tregjet globale të metaleve dhe rritjen e ndjeshme të çmimeve të energjisë elektrike në Evropë – faktorë që kanë rritur ndjeshëm kostot e prodhimit dhe kanë dëmtuar qëndrueshmërinë financiare”, thuhet në njoftim. Sipas kompanisë, mungesa e të ardhurave për një periudhë kaq të gjatë e ka bërë të pamundur mbajtjen e fuqisë punëtore aktuale pa prodhim. Për këtë arsye, menaxhmenti ka vendosur të fillojë procesin e largimeve kolektive, në përputhje të plotë me Ligjin e Punës. “Të gjithë punonjësit e prekur do të marrin të drejtat e tyre ligjore deri në datën e ndërprerjes, dhe njoftimet individuale do të lëshohen sipas procedurave ligjore. Kompania mbetet e përkushtuar për një proces të drejtë, transparent dhe me respekt ndaj secilit punonjës”, thuhet tutje. NewCo Ferronikeli thekson se mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës dhe punonjësve të saj, duke theksuar se personeli i prekur do të ketë prioritet për ripunësim në momentin që kushtet e tregut do të mundësojnë rifillimin e prodhimit. Një numër i kufizuar i stafit thelbësor do të vazhdojë të punojë për të ruajtur integritetin e kompanisë, për të menaxhuar licencat minerare dhe për të përmbushur detyrimet ligjore. “Pavarësisht sfidave aktuale, NewCo Ferronikeli mbetet e bindur në potencialin afatgjatë të prodhimit të nikelit dhe është e vendosur të rikthejë operacionet e plota sapo të kthehet stabiliteti i tregut”, përfundon njoftimi i menaxhmentit të kompanisë.