Në një kohë kur çmimet e pajisjeve, rrobave dhe lodrave për fëmijë janë vazhdimisht në rritje, shumë prindër po zgjedhin artikuj të dorës së dytë ose të trashëguar. Por ekspertët paralajmërojnë se disa produkte, megjithëse duken në gjendje të mirë, mund të përbëjnë një rrezik serioz për sigurinë e një fëmije, shkruan Daily Mail. Gjërat e përdorura mund të jenë një mënyrë e shkëlqyer për të kursyer para dhe për të pasur një qasje të qëndrueshme, por jo gjithçka është po aq e sigurt. Organizata e mbrojtjes së konsumatorit Which?, ajo veçoi disa produkte që nuk duhet t'i përdorni kurrë si të dorës së dytë. Sediljet e makinave Edhe pse një sedilje makine e përdorur mund të duket shumë mirë, ajo mund të ketë qenë në një aksident të mëparshëm ose të jetë rrëzuar, gjë që mund të shkaktojë dëmtime të brendshme të padukshme. Dëmtime të tilla, siç janë mikroçarjet, mund të kompromentojnë seriozisht sigurinë në rast të një përplasjeje. Përveç kësaj, materialet si rripat e sigurimit mund të dobësohen me kalimin e kohës, veçanërisht nëse pastrohen me kimikate të ashpra. Modelet e vjetra shpesh nuk i plotësojnë standardet e reja të sigurisë dhe mungesa e udhëzimeve origjinale rrit më tej rrezikun e instalimit të gabuar. Shqetësuese është se 22 përqind e prindërve pranuan se përdorin një sedilje makine të dorës së dytë. Dyshekë të përdorur Dyshekët e krevatit të fëmijëve gjithashtu mund të përbëjnë rrezik, veçanërisht nëse nuk janë nga një shtëpi familjare. Lullaby Trust paralajmëron se dyshekët e përdorur mund të rrisin rrezikun e sindromës së vdekjes së papritur të foshnjave. Nëse vendosni të përdorni një dyshek të përdorur, është e rëndësishme të kontrolloni nëse ka një mbulesë të papërshkueshme nga uji dhe nëse është pastruar dhe tharë plotësisht. Dysheku duhet të jetë i fortë dhe i sheshtë, dhe të kthehet në formën e tij origjinale menjëherë pas presionit. Gjithashtu duhet të përshtatet në mënyrë të përkryer në krevatin e foshnjës, pa boshllëqe rreth skajeve, për të shmangur lëndimet e mundshme. Helmeta Ashtu si sediljet e makinave, helmetat e biçikletave nuk duhen blerë të dorës së dytë. Edhe pse mund të duken të padëmtuara nga jashtë, nuk ka asnjë mënyrë për të ditur nëse kanë pësuar goditje ose rrëzime, të cilat mund ta dobësojnë strukturën e tyre. Një helmetë e re garanton siguri të plotë, ndërsa një e përdorur mund të paraqesë rrezik, edhe nëse funksionon siç duhet. Çfarë mund të blihet në mënyrë të sigurtë të dorës së dytë? Megjithatë, ka disa artikuj që konsiderohen të sigurt për t’u blerë të dorës së dytë, me kusht që të jenë në gjendje të mirë dhe të përmbushin standardet e sigurisë. Këto përfshijnë karroca fëmijësh, djepë, porta sigurie për shkallët dhe mobilje për fëmijë. Me kujdes shtesë, mund të merrni në konsideratë edhe blerjen e lodrave, rrobave për fëmijë, shisheve, pompave të gjirit dhe monitorëve të foshnjave.