Zbulohen bisedimet mes Jurgen Klopp dhe Barcelonës – Hansi Flick ‘në prag të largimit’

E ardhmja e trajnerit Hansi Flick te Barcelona është vënë në pikëpyetje, pasi raportimet e fundit pretendojnë se gjermani ka kërkuar të largohet nga klubi katalanas. Sipas mediumit ABC Futebol, Flick ndjehet “shumë i lodhur” dhe që nga shtatori u ka treguar anëtarëve të stafit të tij dëshirën për t’u larguar. Ai është i zhgënjyer me mungesën e përqendrimit të disa lojtarëve – me theks të veçantë te Lamine Yamal – si dhe me mungesën e mbështetjes nga drejtuesit, përfshirë presidentin Joan Laporta dhe drejtorin sportiv Deco. Megjithatë, deri tani nuk ka bërë një kërkesë zyrtare për largim, dhe klubi nuk e konsideron dorëheqjen e tij si të menjëhershme. Në rast se Flick do të largohej, një nga emrat që mund ta zëvendësojë është Jurgen Klopp, i cili është pa punë që nga maji i vitit 2024, kur u largua nga Liverpooli. Klopp aktualisht punon si drejtor global i futbollit në Red Bull Group, por lidhjet e tij me Barcelonën datojnë më herët. Ish-trajneri i Manchester United, Ralf Rangnick, ka rrëfyer se në vitin 2021 kishte këshilluar Laportën që të merrte Kloppin ose Flickun, gjatë një konsulence për drejtimin e ardhshëm të klubit. “I thashë Laportës, nëse doni të punoni me lojtarë të rinj, duhet t’i besoni atyre dhe t’i lini të luajnë si ujq të vegjël. Përmenda Hansi Flick dhe ndoshta Kloppin. Laporta e mbajti mend Flickun – dhe kështu ai mori detyrën”, ka deklaruar Rangnick për SPORT. Madje, një vit më parë, kandidati për president të Barcelonës, Jordi Farre, kishte pranuar se kishte zhvilluar bisedime paraprake me Kloppin për një kalim të mundshëm në “Camp Nou”, pavarësisht se në atë kohë Ronald Koeman sapo ishte emëruar trajner. “Ne kishim nisur kontakte me Jurgen Klopp, sepse besonim se Barcelona ka nevojë për një trajner të tillë,” ka thënë Farré për Diario Sport. Pas largimit nga Liverpooli, Klopp ka deklaruar publikisht se nuk do të trajnojë asnjë skuadër tjetër angleze, ndërsa në një intervistë për podcastin Diary of a CEO, ai pranoi se nuk i mungojnë “orët në shi, konferencat për shtyp dhe presioni i zhveshtores”. /Telegrafi/