Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka reaguar ndaj publikimit të letrës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, drejtuar Dhomave të Specializuara në Hagë. Haradinaj e ka cilësuar këtë veprim si përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga rasti i Astrit Deharit, në ditën kur shënohen tetë vjet nga vdekja e tij. “Ka datën e vitit 2022, por sot është dita e Astritit Deharit. Prandaj sot ke më tepër me zhvendos vëmendjen andej ku është dashur të na tregojë për tetë vjet premtime, të paktën ‘vrasjen e Astrit Deharit’ ta zbulojë. Përkundër kësaj, jo vetëm që s’kemi parë ndonjë zbulim… Më tepër e ka bërë zhvendosjen, sa për të larë sy e faqe”, ka deklaruar Haradinaj në RTVDukagjini. Ai shtoi se Kurti “ka pritur tri vjet këtë ditë, priti zgjedhjet, priti momentin e duhur për ta zhvendosur vëmendjen aty ku është dashur të japë përgjegjësi”. Deklaratat e Haradinajt erdhën pas fjalës së Kurtit, i cili tha se nuk ekzistojnë arsye ligjore apo morale që ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mbahen në paraburgim në Hagë. Kurti publikoi po ashtu letrën që i kishte dërguar në vitin 2022 kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke kërkuar lirimin e përkohshëm të ish-krerëve të UÇK-së.