Mungesa e shënuesve të tumoreve, Aliu: Po punojmë për një zgjidhje ligjore do ta zgjidh këtë problematikë

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se ministria po ndryshon dhe adapton një zgjidhje ligjore për zgjidhje të problemeve me shënuesit e tumoreve për pacientët onkologjikë. Ai përkujtoi se shënuesit e tumoreve përveç në Onkologji, ka edhe në Biokimi dhe kliniakt e tjera në sistemin tonë shëndetësor. “Për fat të keq, gjithsahtu për shkak të pengesave ligjore e dini se nëse një procedurë vonohet, ju ligjërisht nuk guxoni të hapni tjetrën apo ta përshpejtoni. Dhe prandaj një prej ligjeve në këto 12 ligje që i ndryshojmë dhe adaptojmë, një prej çështjeve që do ta zgjidhim është literalisht kjo. Unë paralajmërova para disa muajve se do të shqyrtojmë, procedurat të fillojnë jo tre, por gjashtë muaj para skadimit të procesit, e tëra me qëllim të kemi kohë të gjejmë plotësisht nëse na nevojitet rihapje e procedurës, në mënyrë që të mos arrijmë deri te momentet e këtilla kur për shkak të procedurave administrative, pacientët do të presin barëra”, sqaroi Aliu. Për momentin, tha shënuesit e tumoreve mund të procesohen në Biokimi si institucion shëndetësor tek ne. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve rreth rastit me drejtorin e Neurologjisë, ministri tha se raportet tashmë janë nga fundi. “Procedurat janë përfunduar në mënyrë administrative, por duhet në bisedë, së bashku me të të ulet, të lexohet rezultati dhe më pas të dalim në opinion me atë raport. Është ende herët të dalim në opinion me informatë”, shtoi Aliu.