Bankkosi i Pejës, “bukuroshja e harruar” pejane – tmerri brenda saj

Një ikonë e qytetit të Pejës që nga vitet ’80. Një bukuri arkitektonike që shndrit nga jashtë, por është harruar nga brend a. Një prej ndërtesave më ikonike të arkitekturës moderne në Kosovë, Banka e Kosovës në Pejë, e njohur ndryshe si Bankkosi. “Krejt Kapak” shkoi atje për ta parë të vërtetën, rënien e një simboli të qytetit. Brenda saj, rrënoja, errësirë dhe heshtje. Ata që dikur punuan aty, sot mbeten pa fjalë. Dikur e mbushur me jetë, punë dhe financa – sot e shfrytëzuar herë pas here nga UNMIK-u dhe disa institucione të tjera, por kurrë nuk e rifitoi identitetin e saj të vërtetë. “Kjo çka ka ndodh këtu është tmerr, shkatërrim”, shprehet Feti Islami, ish-drejtor i Bankkosit në Pejë. Kjo ndërtesë filloi të ndërtohej në fund të viteve ’70 dhe përfundoi rreth vitit 1983. Ajo ishte projektuar si seli rajonale bankare dhe përfaqëson stilin brutalist modern, me përdorim të betonit të ekspozuar dhe forma masive, karakteristike për arkitekturën e kohës. Pothuajse të gjithë 120 punëtorët e Bankkosit në Pejë u larguan njëjtë si Feti në vitin 1989, kur shqiptarët u përjashtuan nga institucionet. “Ky dru ka ardhur nga Etiopia”, tregon Islami për emisionin “Krejt Kapak”. Kjo ndërtesë mbetet një kryevepër e arkitektit Milan Tajic, i njohur për stilin e tij brutalist dhe përdorimin e guximshëm të hapësirave të mëdha e dritës natyrale. Projekti u vlerësua si inovativ për kohën dhe është ndër përfaqësueset më të mira të modernizmit jugosllav në Kosovë. A duhet ruajtur ky objekt? Këtë e kuptoni brenda emisionit, por sot Bankkosi rrezikon të shkatërrohet plotësisht. Janë raportuar zjarre të brendshme, vjedhje materialesh, madje edhe hyrje ilegale. Deri më tani nuk ekziston asnjë projekt serioz restaurimi – vetëm premtime. Këtij realiteti të hidhur sot i kthehet edhe Fetije Basha, ish-punëtore e bankës, për të cilën kjo ndërtesë ishte shtëpia e saj e dytë për mbi 20 vjet. “Katastrofë, tmerr qysh e paskan bo,” thotë ajo me lot në sy, teksa kujton ditët kur Bankkosi ishte krenaria e Pejës.