Trepça bie sërish ndaj PAOK-ut, dramë deri në sekondat e fundit në “Minatori”

Trepça vazhdon ta kërkojë fitoren e parë në “FIBA Europe Cup”, pasi u mposht edhe në përballjen e dytë nga PAOK-u i Selanikut, këtë herë në Mitrovicë, me rezultat të ngushtë 77:75. Në palestrën “Minatori” atmosfera ishte elektrizuese, ndërsa skuadra vendëse zhvilloi një ndeshje shumë më të mirë krahasuar me sfidën e parë në Greqi, të cilën e kishte humbur 85:74. Pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale të Trepçës, 38:37, me lojë të baraspeshuar dhe me mbrojtje të forta nga të dyja skuadrat. Çereku i parë përfundoi 16:16, ndërsa i dyti i takoi mitrovicasve 22:21. Në periodën e tretë, grekët morën avantazhin me rezultat 20:16, por gjithçka u vendos në dhjetë minutat e fundit. Batin Tuna ndezi shpresat e vendasve me një treshe të saktë që e çoi Trepçën në epërsi 73:72, dy minuta para fundit. Megjithatë, gabimet në sulm i kushtuan shtrenjtë skuadrës kosovare, teksa PAOK përfitoi dhe ktheu rezultatin në favorin e vet. JaCori Payne ishte më i dalluari për Trepçën, duke realizuar pikët e fundit për 77:75 dhe duke provuar në çastet e fundit edhe një treshe për ta kthyer ndeshjen, por tentativa e tij nuk u konkretizua. Pas kësaj humbjeje, kampionia e Kosovës regjistron disfatën e katërt radhazi në grup, pas atyre ndaj Braunschweigut (84:70) dhe Anwilit (97:87). Edhe pse rezultatet nuk kanë qenë në favor, performanca ndaj PAOK-ut tregoi përmirësim dhe shpirt gare që skuadra e Trepçës do të kërkojë ta shfrytëzojë në ndeshjet e mbetura./ Telegrafi /