Në episodin e 51-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, të përkrahur nga United Hospital , Daut Gorani, kardiolog me përvojë të gjatë dhe njohës i sëmundjeve të zemrës ka folur për sfidat e shëndetit kardiovaskular në kohën moderne, ku stresi, ushqimi i parregullt dhe mungesa e gjumit po bëhen armiqtë kryesorë të zemrës. Gorani tregon se çdo vit po rritet numri i të sëmurëve nga zemra – përfshirë edhe të rinjtë – dhe shpjegon pse gjenetika, stresi kronik dhe stili i jetesës po ndikojnë drejtpërdrejt në këtë rritje. - YouTube www.youtube.com “Stresi çdo ditë është më i pranishëm te popullata, jeta aktive, hiperdinamike, obligimet e shumta, krizat ekonomike, etj. Në anën tjetër është konsumi i duhanit, i cili është shumë i pranishëm te popullsia fatkeqësisht. Është një numër i madh që konsumojnë duhan vend e pa vend, kohë e pa kohë dhe kjo natyrisht që shkakton pasojat e veta në arteriet koronare. Pastaj është sëmundja e diabetit. Diabeti është një nga faktorët e mëdhenj të rrezikut me të gjitha komplikimet përcjellëse ”, ka thënë Gorani. Ai rrëfen raste të rralla, si një djalosh 15-vjeçar me arterie të ngushtuara, por edhe histori që tregojnë se zemra “flet” përmes simptomave të vogla që shpesh neglizhohen: shtrëngime në gjoks, dhimbje në nofull apo lodhje të pazakontë. Doktori Gorani ka folur edhe se cilat janë faktorët më të rrezikshëm për sëmundjet e zemrës sot, si ndikon stresi dhe mungesa e gjumit në prodhimin e kortizolit dhe në bllokimin e arterieve, pse edhe sportistët mund të përjetojnë infarkt, dhe cilat janë tri zakonet e arta për një zemër të shëndetshme: ushqimi mesdhetar, aktiviteti fizik i përditshëm dhe gjumi i rregullt. /Telegrafi/