Erling Haaland shkruan historinë në Ligën e Kampionëve pas golit ndaj Dortmundit

Erling Haaland ka shkruar një tjetër faqe të artë në historinë e Ligës së Kampionëve, pasi shënoi për Manchester City-n në fitoren ndaj Borussia Dortmund, duke u bërë lojtari i parë që ka realizuar në pesë ndeshje radhazi të Ligës së Kampionëve për tre klube të ndryshme. Ylli norvegjez realizoi golin e dytë për City-n në minutën e 29-të, duke e çuar rezultatin në 2-0. Pas një aksioni të bukur nga Jeremy Doku në krahun e majtë, i cili dërgoi një pasim të ulët në zonë, Haaland përplasi topin në rrjetë me goditje të fuqishme, goli i tij i 18-të këtë sezon në të gjitha garat. Phil Foden kishte hapur serinë e golave më herët, duke bërë që skuadra e Pep Guardiolës të mbyllte pjesën e parë në epërsi të qetë. Në mungesë të Ruben Dias, Haaland mbajti edhe shiritin e kapitenit dhe u shpërblye me një rekord të jashtëzakonshëm personal. Lighting up the Etihad! ? pic.twitter.com/l3Vt3WE9p1 — Manchester City (@ManCity) November 5, 2025 Sipas Opta Analyst, ai është lojtari i parë që ka shënuar në pesë ndeshje radhazi të Championsit për tre ekipe të ndryshme – RB Salzburg, Borussia Dortmund dhe Manchester City. As Cristiano Ronaldo, që ka luajtur për Manchester United, Real Madrid dhe Juventus, nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë. Aktualisht, Haaland është golashënuesi më i mirë i Cityt në këtë sezon, duke lënë pas gjithë shokët e skuadrës, asnjë tjetër nuk ka shënuar më shumë se një gol në Ligën Premier deri më tani. Në Ligën e Kampionëve, me këtë gol, ai u ngjit në krye të listës së golashënuesve, përkrah Harry Kane dhe Kylian Mbappe, ndërsa Foden, Doku dhe Bernardo Silva kanë nga një realizim secili./ Telegrafi /