Modelja e famshme Brooks Nader: Jam e varur nga Ozempic, që kur e kam përdorur të gjithë më kanë punësuar

Në një intervistë të re për Bustle , Brooks Nader ka rrëfyer realitetin që fshihet pas fotografive glamuroze dhe paraqitjeve në tapetin e kuq - një botë ku shpesh mbizotërojnë presioni, varësia dhe ndjenja e fajit. Brooks nuk e fsheh që industria e modës është e pamëshirshme. “Nëse nuk fitoja një punë, përgjigjja ishte: duhet të humbësh 15 kilogramë . Nuk qaja. Thjesht mendoja: ‘Në rregull, si mund ta arrij këtë?’” Ajo thotë se zgjidhjen e gjeti te medikamentet GLP-1, të njohura për humbje të shpejtë peshe. Foto: EPA “Kur fillova t’i përdor, karriera ime u ngrit në mënyrë të pabesueshme. Nuk po them që është e drejtë ose e shëndetshme. Por humba 15 kilogramë dhe menjëherë fillova të merrja të gjitha punët”. Sot ajo pranon se po lufton me varësinë nga këto ilaçe, përfshirë edhe Ozempic-un. “E di që nuk është e shëndetshme dhe që duhet të ndaloj, por sinqerisht — nuk jam gati. Shumë njerëz më kanë shkruar duke thënë se përballen me të njëjtin problem. Të gjithë turpërohen ta pranojnë, por e vërteta është që gjysma e industrisë i përdor”. Foto: EPA Brooks flet hapur edhe për ndërhyrjet estetike dhe ndryshimet në fytyrën e saj. “Njerëzit thonë se ngjaj me Michael Jackson… çdo Krishtlindje dukem si Freddy Krueger,” tha ajo me të qeshur, duke treguar se është e vetëdijshme për komentet, por edhe se nuk ka ndërmend t’i fshehë ato. “Në fund të ditës, të gjithë bëjmë diçka për t’u ndier mirë në lëkurën tonë — unë thjesht jam ajo që e pranon”. Foto: EPA E lindur në Louisiana, Brooks ka ëndërruar famën dhe tapetin e kuq që në moshën gjashtëvjeçare. Karrierën e nisi si modele, ndërsa u bë e njohur pasi u paraqit në Sports Illustrated . Sot ajo drejton reality-shoun Love Thy Nader , ku tregon jetën e saj të përditshme — shumë ndryshe nga pamjet perfekte të Instagramit. Përveç sinqeritetit të saj për trupin dhe pamjen, Brooks shpesh gjendet edhe në faqet rozë të mediave. Kohëve të fundit janë përfolur lidhje të mundshme me sportistë të njohur, mes tyre tenistët Carlos Alcaraz dhe Jannik Sinner, si dhe ish-yllin e NFL-it, Tom Brady. Ajo nuk ka konfirmuar asnjë prej këtyre thashethemeve. /Telegrafi/