Man City mposht Dortmundin, Haaland shkëlqen ndaj ish-skuadrës së tij

Manchester City ka vazhduar marshimin e tij të fuqishëm në Ligën e Kampionëve, duke mposhtur Borussia Dortmundin me rezultat 4-1 në “Etihad Stadium”, në një ndeshje ku Phil Foden dhe Erling Haaland shkëlqyen me gola dhe asistime. City e nisi ndeshjen furishëm dhe zhbllokoi rezultatin në minutën e 23-të, kur Foden mori një pasim nga Tijjani Reijnders dhe lëshoi një goditje të fuqishme nga jashtë zonës që u ndal në këndin e poshtëm të majtë, një gol spektakolar për 1-0. Vetëm gjashtë minuta më vonë, në minutën e 29-të, Jeremy Doku dërgoi një top të ulët në zonë, ku Erling Haaland nuk fali nga afërsia për të dyfishuar rezultatin në 2-0 ndaj ish-skuadrës së tij. Në pjesën e dytë, City vazhdoi dominimin dhe në minutën e 57-të, sërish Phil Foden realizoi një tjetër perlë nga distanca, duke çuar rezultatin në 3-0 dhe vulosur praktikisht fitoren. Dortmundi reagoi në minutën e 72-të, kur Ëaldemar Anton përfitoi nga një pasim i Julian Ryerson dhe shënoi nga afërsia për 3-1, por ishte tepër vonë për rikthim. Në minutat në vijim, Guardiola ndërhyri me disa zëvendësime, duke futur Bernardo Silvën dhe Ruben Diasin për të menaxhuar avantazhin, ndërsa Savinho u ndëshkua me karton të verdhë për një faull të panevojshëm. Pavarësisht disa rasteve të rrezikshme nga Karim Adeyemi dhe Guirassy, portieri Gianluigi Donnarumma bëri disa pritje vendimtare për të mbajtur rezultatin e sigurt. Për epilogun përfundimtar 4-1 u përkujdes Rayan Cherki i cili realizoi në minutën e 91-të. Me këtë fitore City shkon në kuotën e 10 pikëve dhe mban pozitën e katërt në renditjen tabelare./ Telegrafi / Standings provided by Sofascore