Barcelona i shpëton humbjes ndaj Club Brugge fal një vendimi të gjyqtarit me VAR në kohën shtesë

Një ndeshje spektakolare me ritëm të lartë dhe plot emocione është zhvilluar në Belgjikë, ku Club Brugge dhe Barcelona ndanë pikët pas një barazimi dramatik 3–3. Vendasit kaluan herët në epërsi me Nicolo Tresoldi (6’), por Ferran Torres (8’) barazoi shpejt rezultatin pas një kombinimi të bukur me Fermin Lopezin. Club Brugge reagoi menjëherë dhe riktheu avantazhin në minutën e 17-të me Carlos Forbs, pas një kundërsulmi të shpejtë (2-1). Barcelona arriti të kthehet në lojë në pjesën e dytë. Fillimisht, Lamine Yamal (61’) shënoi për 2–2 pas një pasimi perfekt nga Fermin Lopez, ndërsa Eric Garcia goditi traversën pak më vonë. Forbs realizoi një gol të mrekullueshëm me një parabol mbi portierin Szczesny në minutën e 64-të, duke e kthyer rezultatin në 3–2 për belgët. Në minutën e 77-të, pas presionit të Barcelonës, Christos Tzolis devijoi pa fat topin në rrjetën e vet dhe rezultati u vendos në 3–3. Club Brugge kishte një moment të tensionuar kur iu dha një penallti në minutën e 71-të, por pas rishikimit me VAR, gjyqtari Anthony Taylor e anuloi vendimin. Në kohën shtesë u zhvillua një situatë tjetër dramatike. Në minutën 90+1’, pas një gabimi të madh të portierit Szczesny, Romeo Vermant e çoi topin në rrjetë dhe duket se i dha fitoren Brugge me rezultatin 4–3. Megjithatë, pas shqyrtimit me VAR, arbitri Anthony Taylor konstatoi një faull në aksionin paraprak dhe anuloi golin, duke shkaktuar zhgënjim të madh te vendasit. Club Brugge ka 5 pikë, ndërsa Barcelona ka 7 pikë dhe e komplikon garën për kreun e grupit. /Telegrafi/