Drita do të vazhdoj me ndeshjet evropiane dhe sot (e enjte) do të ketë përballjen e radhës. Kampioni në fuqi i Kosovës do të luaj në udhëtim në Republikën e Irlandës, ku përballë do ta ketë skuadrën Shelbourne. Dueli mes Shelbournes dhe Dritës zhvillohet në stadiumin Tallaght në kryeqytetin irlandez Dublin me fillim nga ora 21:00. Si vendasit ashtu edhe mysafirët synojnë që të marrin fitoren e parë në fazën e ligës në Ligën e Konferencës. Shelbourne ka vetëm një pikë pas dy ndeshjeve, derisa Drita ka marrë dy barazime në po aq ndeshje. Drita ka mungesa të rëndësishme në këtë sfidë, kryesisht në repartin e sulmit ku do të duhet t'ia dalë pa Arb Manajn, Blerim Krasniqin, Veton Tushën dhe Liridon Balajn. /Telegrafi/