Zohran Mamdani, fituesi i zgjedhjeve në Nju-Jork, në disa media shqiptare u prezantua si “myslimani që fitoi në ShBA”. Shpresoj të jetë nga padija ose naiviteti. Mamdanin nuk e përfaqëson aspak ajo çfarë është përpara Zotit, por çfarë mendon ai për njerëzit. Suksesi i tij nuk ka asnjë lidhje me fenë. Edhe sikur të donte, një qytet si Nju-Jorku, i ndërtuar mbi miliona emigrantë, nuk mund të drejtohet nga paragjykimet e origjinës apo besimit. Për ta vendosur në një kuadër biografik, ai ka origjinë myslimane. Babai i tij është nga Uganda me rrënjë indiane-myslimane, ndërsa nëna e tij është indiane. Por, ai vetë nuk e ka bërë kurrë fenë pjesë të profilit të tij publik, nuk e përdor kurrë si identitet politik dhe rrallë e përmend në intervista. Mamdani është socialist. Më “keq” akoma: Është një socialist që ka fituar në zemrën e vendit që shpiku kapitalizmin modern. Prezantimi i tij si “mysliman” me siguri u rri mirë atyre që përpiqen të kultivojnë te “masat” që politika sociale është naive, që kujdesi shtetëror është “komunist” që drejtësia sociale është “romantizëm” etj. Mamdani si socialist ua prish këtyre “elitave” komoditetin moral. Për më tepër Mamdani e pranon hapur identitetin e tij politik. Ai është anëtar i organizatës “Democratic Socialists of America” (DSA), një lëvizje e majtë që po përpiqet të çojë Partinë Demokratike amerikane drejt një modeli më social, me theks te barazia ekonomike dhe fuqizimi i shërbimeve publike. Ja disa premtime të Mamdanit: Rritje e taksave për të pasurit dhe përdorimi i tyre për shërbime publike si banesat, transporti dhe kujdesi shëndetësor. Kundërshton privatizimet dhe kërkon që shërbimet thelbësore të jenë në duart e shtetit ose të banorëve lokalë. Mbron të drejtat e punëtorëve dhe sindikatave, si dhe politikat për emigrantët dhe klasat e varfra. Është e pamundur që të lexosh këto dhe të mos e vëresh kontrastin mes socializmit si ide dhe socializmit si “markë” politike. Këtu vijmë te Shqipëria. Premtimet e Zohran Mamdanit, në Shqipërinë e qeverisur prej 12 vitesh nga socialistët, janë ëndrra të harruara. Mjafton të kujtojmë çfarë ndodh me pasuritë publike. “Socializmi” shqiptar është shitës i shtëpisë së vet. Në çdo rast fitorja e një socialisti të ri, që ka lindur nga përzierja e kulturave dhe idealeve në një vend që për dekada ka qenë simboli i kapitalizmit të pakufizuar, tregon se ideja e socializmit demokratik është një alternativë reale ndaj sistemit aktual. Është një shenjë shprese se epoka e politikës cinike dhe e përçarjes po përballet me një kundërrymë të re. U jep kurajë të gjithë atyre në çdo cep të botës, nga Amerika Latine deri në Evropë, nga Afrika deri në Ballkan, që besojnë ende se shteti duhet të jetë mjet drejtësie, jo biznes i të fortëve. Njerëzit “e zakonshëm” kërkojnë institucione që i shërbejnë shumicës, jo pakicës. Brezi i ri kërkon më shumë barazi, më pak arrogancë nga pushteti. Kjo ndjesi nuk është amerikane. Është universale. Rruga përpara nuk është “më shumë treg apo më shumë fitim”, por më shumë shoqëri. Idealet sociale nuk janë të vjetruara, janë të domosdoshme. Politikën do ta shpëtojë jo ideologjia, por ndjenja njerëzore.