Publikohet raporti mbi menaxhimin e mbeturinave komunale në Kosovë për vitet 2023–2024

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka publikuar raportin e ri mbi gjendjen dhe menaxhimin e mbeturinave komunale në vend për periudhën 2023–2024, duke ofruar një pasqyrë të plotë mbi gjenerimin, grumbullimin, trajtimin, riciklimin dhe asgjësimin e mbeturinave. Në raport prezantohet statusi aktual i menaxhimit të mbeturinave, sfidat me të cilat përballen komunat dhe operatorët, si dhe masat e rekomanduara për përmirësimin e situatës mjedisore në këtë sektor, përcjell Telegrafi. Analiza dyvjeçare përfshin një krahasim të të dhënave me vitet paraprake, që mundëson vlerësimin e progresit dhe identifikimin e fushave që kërkojnë ndërhyrje të mëtejshme. Sipas AMMK-së, raporti ka rëndësi të veçantë për monitorimin e zbatimit të politikave dhe legjislacionit mjedisor, duke ofruar informacion të besueshëm e transparent për institucionet publike, politikbërësit, komunitetin shkencor dhe qytetarët. Ky dokument synon të shërbejë si bazë për hartimin e politikave të reja dhe për orientimin strategjik të veprimeve në fushën e menaxhimit të mbeturinave, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Raporti i plotë është publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës: https://ammk-rks.net . / Telegrafi /