Këshilli i Investitorëve Evropianë zgjedh Bordin e ri Drejtues për një mandat dyvjeçar

Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC), mbajti Mbledhjen e 14-të të Kuvendit të Përgjithshëm, gjatë së cilës u zgjodh Bordi i ri Drejtues për një mandat të ri dyvjeçar. Në hapje të takimit, drejtori ekzekutiv i EIC, Emrush Ujkani, falënderoi Bordin në largim për kontributin e tyre “Faleminderit për angazhimin dhe përkushtimin tuaj ndër vite. Bashkëpunimi juaj ka qenë thelbësor për fuqizimin e rolit të EIC në zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në njoftim. Kryetari aktual i Bordit, Genond Mesareja (Sigma Vienna Insurance Group), i rizgjedhur për një mandat të ri, vlerësoi arritjet e organizatës dhe riafirmoi angazhimin e tij. “Riafirmoj përkushtimin tim për të udhëhequr një bord aktiv dhe vizionar, i përkushtuar në promovimin e një mjedisi të qëndrueshëm për investime, zhvillimin e reformave ekonomike dhe fuqizimin e dialogut publiko-privat”, tha ai. Bordi i ri Drejtues i EIC do të përbëhet nga: Genond Mesareja (Sigma Vienna Insurance Group) – Kryetar Visar Paçarada (ProCredit Bank) – Nënkryetar Gresë Rexhepi (PwC) – Drejtoreshë e Thesarit Gokhan Acikgoz (Limak Kosovo) – Sekretar Andras Pali (IPKO) – Udhëheqës për Marrëdhënie me BE-në Katër nga anëtarët janë rizgjedhur nga përbërja e mëparshme, ndërsa Andras Pali i bashkohet Bordit për herë të parë, duke sjellë perspektivë të re dhe përvojë në raportet ndërkombëtare. Përveç Bordit Drejtues me të drejtë vote, EIC përfshin edhe anëtarë të nderit pa të drejtë vote, duke përfaqësuar institucione si Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, BERZH, IFC dhe FKGK. Këshilli i Investitorëve Evropianë mbetet i përkushtuar ndaj misionit të tij për të nxitur investimet, mbështetur sektorin privat dhe fuqizuar dialogun publiko-privat si themel i rritjes ekonomike afatgjate të Kosovës. /Telegrafi/