Nga: Naveed Jamali [1] / Newsweek Përkthimi: Telegrafi.com Rrugëtimi im për të përjetuar gjithë triadën bërthamore më çoi në bord të një B-52 -shi dhe një bombarduesi B-2 që nuk detektohet, në thellësi të një silosi të raketës balistike ndërkontinentale Minuteman dhe nën valët e oqeanit në një nëndetëse me raketa balistike. Triada bërthamore - e përbërë nga raketat balistike ndërkontinentale me bazë në tokë, raketat balistike të lëshuara nga nëndetëset dhe bombarduesit me kapacitet bërthamor - është shtylla kurrizore e parandalimit strategjik të Amerikës. Ajo siguron që asnjë kundërshtar të mos jetë në gjendje të eliminojë aftësinë e vendit për t’iu përgjigjur një sulmi bërthamor. Komunikimi i kësaj gatishmërie është ajo që e bën parandalimin të vlefshëm. Ky është paradoksi në zemër të stabilitetit bërthamor: Për ta mbajtur botën të sigurt, duhet të jemi të gatshëm të përdorim armët më të rrezikshme që janë ndërtuar ndonjëherë. Kjo gatishmëri nuk mbështetet vetëm në teknologji, por te njerëzit që janë të gatshëm ta përdorin atë - është thelbi i parandalimit. Në të tri komponentet e triadës, pashë që armët bërthamore të Amerikës nuk janë instrumente të heshtura që presin ditën më të keqe të botës; ato përdoren çdo ditë përmes një parandalimi të qetë e të vazhdueshëm që u tregon kundërshtarëve, si Rusia dhe Kina, se çdo sulm ndaj Shteteve të Bashkuara do të dështojë përpara se të fillojë. Edhe pse shumë pjesë të triadës mbeten të klasifikuara, ajo që është e qartë është kompetenca e jashtëzakonshme dhe disiplina e të rinjve dhe të rejave që operojnë me të - dhe përcjellja e këtij përkushtimi është po aq e rëndësishme sa përparimi i teknologjisë sonë. Një tjetër veçori e përbashkët befasuese, në të tri komponentet e triadës, është kontrasti mes moshës së re të personelit që operon këto sisteme dhe moshës së vetë makinerive. Aeroplanët që ata drejtojnë, nëndetëset që lundrojnë dhe raketat që monitorojnë janë, sipas çdo standardi, të vjetra. Merrni si shembull bombarduesin e padetektueshëm B-2 . Dizajni i tij elegant në formë trekëndëshi duket ende futurist, megjithatë ai fluturoi për herë të parë më shumë se 30 vjet më parë, përpara se GPS-i të ishte funksional. Kur hipa në kabinën e tij të fluturimit, më bëri përshtypje se sa pak moderne dukej brendësia e tij krahasuar me shumicën e aeroplanëve të sotëm komercialë. B-52 dhe Minuteman III janë edhe më të vjetër, të krijuar në vitet e para të Luftës së Ftohtë. Edhe nëndetësja Ohio , ku isha, është vënë në shërbim në fillim të viteve ’80 të shekullit XX. Edhe pse secili prej këtyre sistemeve është përditësuar vazhdimisht dhe mbetet vdekjeprurës, ato janë trashëgimi e një epoke tjetër - dëshmi se parandalimi nuk mbahet në jetë vetëm nga teknologjia, por nga njerëzit që e bëjnë atë të rëndësishëm, të besueshëm dhe gjithmonë të gatshëm. Sot, ky mision i parandalimit, po vihet në provë si kurrë më parë. Vetëm pak para takimit të rëndësishëm me presidentin kinez Xi Jinping, presidenti Donald Trump shpalli se kishte udhëzuar Pentagonin të fillonte testimet bërthamore “në të njëjtin nivel” me Rusinë dhe Kinën, dhe se procesi do të niste menjëherë. “Duket se të gjithë po bëjnë teste bërthamore”, u tha Trumpi gazetarëve në bordin e Air Force One . “Ne nuk bëjmë teste, i kemi ndaluar prej vitesh. Por, meqë të tjerët po bëjnë, është mirë që edhe ne të fillojmë”. Ndërkohë, një lojtar tjetër po transformon me shpejtësi peizazhin bërthamor: Kina. Vitet e fundit, Pekini ka ndërmarrë një zgjerim të gjerë të forcave të saj bërthamore, duke ndërtuar silose të reja raketash dhe duke zhvilluar raketa të avancuara balistike të lëshuara nga nëndetëset. Federata e Shkencëtarëve Amerikanë vlerëson se Kina tani ka rreth 500 koka bërthamore, afërsisht 440 prej tyre të gatshme për t’u lëshuar nga toka, deti apo ajri, dhe ajo mund ta kalojë shifrën 1 000 deri në fillim të viteve 2030. Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara apo Rusia, të cilat kanë operuar për dekada të tëra nën traktatet e kontrollit të armëve, Kina nuk përballet me kufizime të tilla - duke sinjalizuar një epokë të re të karakterizuar jo nga dy superfuqi, por nga tre rivalë të barabartë bërthamorë. Ky realitet e bën triadën amerikane më të rëndësishme sot sesa në çdo moment që nga Lufta e Ftohtë. Ajo është e vetmja strukturë që mund të parandalojë në mënyrë të besueshme si Rusinë, ashtu edhe Kinën njëkohësisht. Pjesa e nëndetëses garanton mbijetesën, raketat tokësore ofrojnë përgjigje të menjëhershme, dhe bombarduesit ofrojnë një parandalim të qartë dhe fleksibil. Së bashku, ato përbëjnë një shtyllë strategjike që duhet të mbetet e patundshme, pavarësisht ndryshimeve në teknologji, gjeopolitikë apo udhëheqje. Megjithatë, pas gjithë atyre gjërave që pashë nga afër, besoj se përbërësi më jetik i triadës nuk është raketa apo makina, por njeriu. Profesionalizmi i ekuipazhit që rri në gatishmëri në nëntokën e Veriut, marinarët që lundrojnë pa u vërejtur nëpër oqeanet e errëta, dhe pilotët që përgatisin aeroplanët më të vjetër se vetë prindërit e tyre janë zemra e parandalimit amerikan. Aftësia dhe qetësia e tyre, jo titujt e gazetave apo retorika politike, janë ato që e bëjnë luftën bërthamore të paimagjinueshme. Parandalimi është një lojë që duhet luajtur pa ndërprerje, një betejë që zhvillohet në heshtje e në hije. Nuk ka fitore, vetëm vigjilencë, sepse në këtë lojë nuk mund të fitojmë kurrë plotësisht, por nuk guxojmë kurrë të humbasim. /Telegrafi/ ______________ [1] Naveed Jamali është gazetari i parë dhe i vetëm që ka dokumentuar tri komponentet e triadës bërthamore të ShBA-së. Ai është veteran i Marinës dhe ish-anëtar i komunitetit amerikan të inteligjencës, si dhe drejtues i projektit Unconventional në Newsweek .