Sipas një analize të publikuar nga Bekim Salihu, analist i politikave në Institutin GAP, nga 11 kryetarët e komunave të Kosovës (duke përjashtuar komunat me shumicë serbe) që kanë fituar pa balotazh, vetëm katër prej tyre — ata të Istogut, Deçanit, Lipjanit dhe Skenderajt — nuk kanë nevojë të formojnë koalicione me subjekte të tjera për të siguruar shumicën në Kuvendet Komunale. Në komunat e tjera si Ferizaj, Drenas, Podujevë, Shtime, Kamenicë, Han i Elezit dhe Malishevë, kryetarët fitues do të duhet të arrijnë marrëveshje bashkëqeverisjeje me parti të tjera për të krijuar shumicën e nevojshme për funksionimin e Kuvendit. Analisti Salihu ka theksuar se në disa raste hendeku drejt shumicës është i vogël. Në Ferizaj, nga 41 asamblistë, PDK ka siguruar 18 dhe i duhen edhe tri vota për shumicë, përcjell Telegrafi. Situatë e ngjashme paraqitet në Drenas, ku nga 27 ulëse, PDK-së i mungojnë gjithashtu tri vota. Në Podujevë, kryetari Shpejtim Bulliqi i LVV-së ka 15 nga 35 asamblistë dhe i duhen edhe tri vota për shumicë. Në Kamenicë, nga 21 ulëse, VV ka 9 dhe i duhen së paku dy vota, ndërsa në Malishevë, kryetari Ekrem Kastrati i Nismës ka 13 nga 27 ulëse dhe i duhet vetëm një votë shtesë për ta siguruar shumicën. Në Shtime, VV ka 8 nga 21 asamblistë, duke pasur nevojë për edhe tri vota, ndërsa në Han të Elezit, PDK me 6 nga 15 ulëse i mungojnë dy vota për ta përmbyllur shumicën. Salihu ka theksuar se, ndryshe nga niveli qendror, ku një kryeministër që humb shumicën në Kuvendin e Kosovës shkarkohet, në nivel lokal një kryetar komune që humb shumicën në Kuvend Komunal nuk shkarkohet, por “bllokohet dhe çakordohet”, duke u përballur me vështirësi serioze në qeverisjen komunale. / Telegrafi /