Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj mosmiratimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025, duke kritikuar LDK-në për qëndrimet e saj në Kuvendin Komunal. Murati ka kujtuar se LDK-ja deri dje ishte ankuar për buxhetin e Prishtinës, ndërsa tash, pas konstituimit të Kuvendit, po refuzon ta miratojë atë, përcjell Telegrafi. Sipas ministrit, buxheti i Komunës së Prishtinës, si dhe i dy komunave të tjera, mbetet ende i pamiratuar, ndonëse nuk ka më pengesa ligjore për ta proceduar. Ai ka paralajmëruar se vonesa në miratimin e buxhetit ka pasoja të drejtpërdrejta, pasi “janë me miliona euro fatura të papaguara si rezultat i mungesës së buxhetit për vitin 2025”, ndërsa “shumë punëtorë të ndërmarrjeve publike lokale janë pa paga”. Murati e përmbylli reagimin e tij me pyetjen retorike: “Çka mund t’i thuhet këtij veprimi të LDK-së? Kush qenka bllokuesi i buxhetit?”. Ky reagim vjen pas diskutimeve të fundit në nivel lokal për vonesat në miratimin e buxheteve komunale, që po ndikojnë në funksionimin e shërbimeve publike dhe pagesat ndaj punëtorëve komunalë. / Telegrafi /