Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës, nën udhëheqjen e drejtorit Samir Lumezi, ka nisur një bashkëpunim të ri strategjik me Probit Academy, me synim për të zgjeruar mundësitë digjitale për nxënësit e shkollave të kryeqytetit. Në kuadër të këtij partneriteti, që u konkretizua në takimin me z. Burim Avdiu, do të përfshihen mbi 800 nxënës në programe të teknologjisë informative dhe inteligjencës artificiale, duke u ofruar atyre njohuri praktike dhe aftësi që përputhen me nevojat e tregut modern të punës, përcjell Telegrafi. Gjatë dy viteve të ardhshme, pritet ndarja e mbi 200 bursave për nxënësit e shkollave të Prishtinës — një investim që synon të mbështesë talentin, inovacionin dhe zhvillimin profesional të gjeneratës së re. Nga Drejtoria e Arsimit u theksua se Prishtina po e udhëheq vendin drejt një të ardhmeje digjitale dhe inovative, ku çdo nxënës do të ketë mundësi të mësojë, krijojë dhe zhvillohet në përputhje me kërkesat e kohës bashkëkohore. / Telegrafi /