Në zbatim të planit operativ “Rrjeta”, që ka për qëllim parandalimin e veprave penale dhe kundërvajtjeve, Njësia e Reagimit të Shpejtë Rajonale (NJRT) në Pejë, në bashkëpunim me ekipet policore të Stacionit Policor të Pejës, ka realizuar një aksion të gjerë kontrolli në hyrje-daljet e qytetit. Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, gjatë këtij operacioni janë vendosur pika të shumta kontrolli në udhëkryqe të rrugëve nacionale, rajonale dhe lokale në zonën e Pejës, përcjell Telegrafi. Policia ka kontrolluar dhjetëra automjete të llojeve të ndryshme, ka legjitimuar persona dhe ka shqiptuar fletëgjobë ndaj shoferëve që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Nga policia theksohet se të gjitha veprimet janë zhvilluar në përputhje me ligjin, me fokus në ruajtjen e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike. Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë u ka bërë apel qytetarëve, veçanërisht shoferëve, që me hyrjen në sezonin dimëror të kenë kujdes maksimal gjatë qarkullimit dhe të jenë të pajisur me mjetet e nevojshme dimërore, për të garantuar siguri në rrugë dhe shmangie të aksidenteve. / Telegrafi /