Policia e Kosovës ka njoftuar lidhur me qarkullimin dhe shpërndarjen nëpër e-mail-e të ndryshme, të disa informacioneve jozyrtare (false/rreme), që kinse i përkasin Policisë së Kosovës dhe organizatave të ndryshme, informacione këto kinse janë lëshuar nga zyrtarë të lartë brenda Policisë së Kosovës. Policia njofton se këto informacione të emërtuara “ftesë/arrestim i menjëhershëm” të dërguara siç thuhet nga stafi i lartë i policisë së Kosovës, FBI-së, etj nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës. Lexoni të plotë njoftimin e Policisë: Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuara “FTESË/ARRESTIM I MENJËHERSHËM”, të lëshuara siç potencohen në e-mail nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve (FBI), Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) etj., e që kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për siç ceket “Keni 24 orë kohë për t’u paraqitur në selinë e policisë, departamenti i krimit kibernetik", nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara. Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-mail-eve/informacioneve të tilla, ka filluar hetimet intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale. Policia e Kosovës njofton dhe njëherit fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave/mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së info@kosovopolice.com për trajtim dhe kompetencë të mëtejme. /Telegrafi/