Shelbourne - Drita: Nga vlera e skuadrave te futbollistët më të rëndësishëm dhe ecuria në Evropë

Skuadra kampione e Kosovës, Drita e Gjilanit, do të përballet me Shelbourne nga Irlanda në ndeshjen e tretë të fazës së ligës në Ligën e Konferencës. Të dyja skuadrat kërkojnë fitoren e parë pas dy xhirosh pa fitore. Dueli pritet të jetë i fortë dhe i ekuilibruar, me kampionin kosovar që synon të mbajë gjallë shpresat për kualifikim nga grupi. Sfida mes Shelbournes dhe Dritës zhvillohet në stadiumin Tallaght në kryeqytetin irlandez Dublin me fillim nga ora 21:00. Vlera e skuadrave Sipas të dhënave të fundit nga Transfermarkt , Drita vlerësohet në 6.58 milionë euro, duke qenë një nga skuadrat më të vlefshme të rajonit në këtë edicion të Ligës së Konferencës. View this post on Instagram A post shared by Telegrafi Sport (@telegrafisport) Në anën tjetër, Shelbourne ka një vlerë totale prej rreth 3,35 milionë euro, por njihet për stilin luftarak dhe organizimin e mirë taktik që shpesh e kompenson diferencën në cilësi. Lojtarët më të vlefshëm Në Shelbourne, peshën më të madhe në lojë e kanë futbollistë si Kerr McInroy, i cili vlerësohet në 275 mijë euro, mbrojtësi Paddy Barrett, si dhe mesfushorët Ellis Chapman dhe Jack Henry-Francis, të cilët vlerësohen nga 200 mijë euro. Pesha e skuadrës nuk do të ishte e plotë pa portierin Conor Kearns, i cili ka një vlerë prej 175 mijë euro dhe pritet të jetë mbrojtësi kryesor i portës në këtë sfidë. Te Drita, ndikim të madh kanë lojtarët kryesorë si Albert Dabiqaj, me një vlerë prej 600 mijë euro, ndërsa pas tij janë Rron Broja, Egzon Bejtullai dhe Almir Ajzeraj me nga 500 mijë euro. Top pesëshja me futbollistët më të vlerësuar te Drita mbyllet me Arb Manajn i cili ka një vlerë prej 450 mijë euro, por i cili sot nuk do të luaj shkaku i lëndimit. Ecuria në Ligën e Konferencës Shelbourne ka grumbulluar vetëm një pikë pas dy ndeshjeve të para në grup, duke barazuar 0–0 në shtëpi ndaj Hacken dhe duke pësuar 1–0 në udhëtim te Shkëndija e Tetovës. Ndërkohë, Drita ka regjistruar dy barazime të njëpasnjëshme: 1–1 ndaj KuPS në udhëtim dhe 1–1 me Omonian në Prishtinë. Analiza dhe pritshmëritë Të dyja skuadrat kanë treguar organizim të mirë në mbrojtje, por kanë pasur vështirësi në konkretizimin e rasteve për gol. Drita mbështetet në përvojën dhe cilësinë individuale të lojtarëve kryesorë, ndërsa Shelbourne do të përpiqet të shfrytëzojë avantazhin fizik dhe disiplinën taktike që karakterizon ekipet irlandeze. Një fitore do të ishte vendimtare për Dritën, e cila kërkon të konfirmojë rritjen e saj në arenën ndërkombëtare dhe të mbajë gjallë ambiciet për kalimin e grupit në Ligën e Konferencës. /Telegrafi/