Policia e Rajonit të Mitrovicës së Jugut ka intensifikuar aktivitetet për rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor, duke ndërmarrë masa të shtuara parandaluese dhe vetëdijesuese në prag të sezonit dimëror. Përveç zbatimit të kontrolleve të rregullta policore, është iniciuar edhe një fushatë vetëdijesuese që synon të nxisë kujdesin e drejtuesve të automjeteve gjatë ngasjes në kushte të vështira atmosferike dhe të promovojë respektimin e rregullave të qarkullimit, përcjell Telegrafi. Në kuadër të kësaj iniciative, policia po shpërndan fletëpalosje informuese me këshilla praktike për shoferët, si: pajisja e automjeteve me goma dimërore, kryerja e kontrollit teknik të mjeteve, mbajtja e distancës së sigurisë, dhe përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës. Sipas Policisë së Rajonit të Mitrovicës së Jugut, qëllimi i këtyre aktiviteteve është rritja e vetëdijesimit dhe përgjegjësisë së pjesëmarrësve në trafik, me synimin për të parandaluar aksidentet dhe rreziqet potenciale gjatë muajve të dimrit. Policia apelon tek drejtuesit e automjeteve dhe qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për qarkullim të sigurt gjatë sezonit dimëror. / Telegrafi /