“Projektligji i barazisë gjinore anti-familje”, polemika në Shqipëri për ligjin

Para nisjes së seancës plenare shumë qytetarë janë mbledhur para objektit të Kuvendit të Shqipërisë për të protestuar kundër Projektligjit për barazinë gjinore. Protesta siç njoftoj mediat në Shqipëri është thirrur nga “Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës”. Me pankartat “deputetë, mos votoni kundër fëmijëve”, “projektligji i barazisë gjinore, anti-familje”, “largoni duart nga fëmijët”, ata kërkojnë të mos miratohet projektligji. Ndërkaq, myftiu i Shkodrës Muhamed Sytari dhe Arqipeshkvi i Shkodrës Giovanni Peragine gjatë një takimi kortezie për 35 vjetorin e lirisë së besimit në Shqipëri u shprehën të unifikuar në fjalën e tyre kundër ligjit për barazinë gjinore që pritet të votohet të enjten në Parlament. “Deklarata e përbashkët e komuniteteve prevalon mbi çdo qëndrim tjetër është qëndrimi jonë i përbashkët dhe shpresoj që klasa politike ka reflektuar siç duhet dhe do të respektojmë tabanin dhe nuk do presë në besë tabanin e shqiptarëve për interesa cinike që nuk janë të shqiptarëve”, tha Myftiu i Shkodrës Muhamed Sytari. “Njeriu është krijuar sipas vullnetit të Zotit. E kuptoj që flitet për politikë integrimi në Evropë por ne do të kemi kujdes të mbajë edhe traditat tona, integrimi nuk do të thotë që duhet të humbim traditat tona të vlerës së familjes dhe respektin për njeriun mashkull edhe femër, duhet të mbajmë identitetin tonë shqiptare”, u shpreh Arqipeshkvi i Shkodrës Giovanni Peragine. /euronews.al/